Ish-drejtori i klubit të Partizanit ka reaguar ashpër në lidhje me videon korruptive që përfshin menaxherin Drini Çaushi dhe futbollistin Emiliano Vila në lidhje me tolerimin e ndeshjes që të kuqtë luajtën kundër Kukësit.

Dervishi trumbeton fort qëndrimin e Vilës për të cilën ka rezerva lidhur me mos kallëzimin para sfidës.

Në një prononcim për “newsport.al” Dritan Dervishi u shpreh:

“Në futboll, jo vetëm në Shqipëri ka çakej që merren me punë të pista si shitje o blerje ndeshjesh. Këta njerëz duhen kallëzuar në Prokurori. Për këtë ngjarjen e Vilës akoma nuk jam i qartë në disa gjëra.

1 – Pse ky lojtar nuk doli para ndeshjes së Kukësit të tregonte për tentativën e korrupsionit? 2 – Pse një person duhet të inçizojë një tjetër kur ai nuk është pjesë e një plani të parapërgatitur ose pjesë pazaresh? 3 – Çaushi ka shkuar në emër të Kukësit, por pse lojtari nuk i tha presidentit Demi?

Të kesh president Gaz Demin dhe mos të tregosh është gjë shumë e rëndë. Demi nuk të lë në baltë që të kesh frikë. Ne duhet ta dënojmë korrupsionin pasi po shkatërron futbollin. Kam mendimin që duhet të ndërhyjë Prokuroria. Fajtorët dhe shpifësit të paguajnë para drejtësisë penale dhe drejtësisë sportive. Mos të sulmojmë fillimisht FSHF-në, pasi korrupsionin e bëjnë disa drejtues me urdhër presidentësh dhe disa futbollistë të korruptuar që s’kan zot dhe burrëri. Këta duhen shporrur nga futbolli. Të vetmit që paguajnë këtu janë presidentët e ndershëm dhe tifozët që duan futbollin e pastër. Drejtësia herët ose vonë do të fitojë”, ka përfunduar Dritan Dervishi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb