TIRANE – Në kuadër të hetimit për skandalin e regjistruar në QSUT, ku disa të rinj ngacmojnë seksualisht një vajzë të shtrirë pa ndjenja, prokuroria ka sekuestruar kartelat në spital dhe me shumë mundësi, hetimi do të shtrihet edhe mbi mjekët që janë gjendur në detyrë natën e ndodhjes së ngjarjes shokuese, e cila, nga verifikimet e para, dyshohet të ketë ndodhur në shkurt të 2014-ës. Organi i akuzës do të pyesë mjekët dhe persona të tjerë të përfshirë në vendngjarje, për të verifikuar nëse vajzës i është dhënë ndihmë në kohën e duhur apo ka pasur neglizhencë nga bluzat e bardha.
Gjithashtu, do të verifikohet se si është lejuar që një vajzë e mitur është dërguar në spital nga një grup të rinjsh, ndërkohë që në të tilla raste duhet që mjekët të marrin të dhëna për personat që dërgojnë të miturit në spital. Deri tani, numri i të arrestuarve ka shkuar në tre dhe priten arrestime të tjera, pasi dy të rinjtë që dyshohet se kanë ngacmuar seksualisht vajzën pa ndjenja, janë akoma në kërkim policor.
Sipas prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shkurt të 2014-ës, në Spitalin Nr.1 në QSUT, dhe skandali doli në dritë këtë fillim janari, kur videoja u publikua në rrjetet sociale. Vajza e cila është ngacmuar në ambientet e spitalit është e mitur dhe gjatë kohës që ajo është marrë në pyetje nga policia ka shpjeguar rrethanat e ngjarjes. Sipas saj, ka qenë në lokal nën ndikimin e alkoolit dhe nuk mban mend ç’ka ndodhur kur është transportuar në spital pa ndjenja, ku është realizuar edhe videoja. Nga hetimet e deritanishme nuk rezulton që vajza të jetë abuzuar seksualisht.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: