KUÇOVË- Zyra e Kadastrës në qytetin e Kuçovës është vjedhur gjatë natës nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë marrë 50 mijë lekë të reja. Vjedhja është konstatuar në mëngjes nga punonjësit e kësaj zyre, në momentin e mbërritjes së tyre në punë dhe më pas ata kanë njoftuar policinë.

Pas verifikimeve të grupit hetimor të policisë në vendngjarje, ka rezultuar se vjedhja është bërë natën dhe se autorët kanë hyrë duke thyer derën e jashtme të këtij institucioni. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se hajdutët kanë mundur të shqyejnë kasafortën, duke marrë prej saj 50 000 lekë të reja, ndërkohë që fatmirësisht nuk është prekur arkiva dhe dokumentacioni. Të njëjtat burime pohojnë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vjedhjeje.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: