Një portret i famshëm i Sir Winston Churchill mendohet se është vjedhur nga një hotel në Kanada dhe është zëvendësuar me një kopje.
I fotografuar nga fotografi kanadez Yousuf Karsh në vitin 1941, imazhi bardh e zi njihet si “luani vrumbullues” dhe është një nga fotografitë më të njohura të Churchillit. Kjo fotografi ishte vendosur në hotelin Château Laurier në Otava që prej vitit 1998.
Mbrëmjen e së premtes një punonjës i stafit të hotelit vuri re se fotografia nuk ishte varur siç duhet dhe korniza nuk përputhej me ato të portreteve të tjera në sallon, të cilat ishin realizuar gjithashtu nga Karsh.
Jerry Fielder, drejtori i pasurisë së Karsh, u thirr për të hetuar dhe zbuloi se nënshkrimi i Karsh në portretin e Churchill ishte një falsifikim, sipas CBC. Hoteli kontaktoi policinë e Otavës, e cila po heton një vjedhje të mundshme.
“Nuk mund ta besoja se dikush do ta bënte këtë,” i tha Fielder Otava Morning në CBC Radio.
Hera e fundit që Fielder ishte në gjendje të konfirmonte se fotografia ishte varur në hotel ishte korriku i vitit 2019. Heqja e saj dhe zëvendësimi me një kopje “ishte padyshim e menduar dhe planifikuar”, tha ai.
“Unë do të doja që kushdo që e mori ta kthente, por nuk mendoj se kjo do të ndodhë,” shtoi ai.
Karsh, i konsideruar si një nga fotografët më të mirë të portreteve të shekullit të 20-të, e bëri fotografinë kur Churchill ishte në Otava për t’iu drejtuar parlamentit kanadez gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shprehja e ashpër e fytyrës së Churchillit u kap disa çaste pasi Karsh i kishte hequr puro nga goja.
“Unë mbaja një tavëll, por ai nuk do ta hidhte atë. Prita… Pastaj shkova drejt tij dhe, pa paramendim, por me respekt, i thashë ‘më falni zotëri’ dhe ia hoqa puro nga goja”, kujton Karsh.
Karsh tha se në kohën kur ai ishte me aparatin e tij për ta fotografuar, Churchill ishte shfaqur “aq luftarak sa mund të më kishte gllabëruar”.
Geneviève Dumas, menaxhere e përgjithshme në Château Laurier, tha se hoteli ishte duke pritur për informacion nga hetuesit./The Times/