Dy persona, që dyshohet si autorë të vjedhjeve të disa biçikletave në Elbasan, janë arrestuar nga policia. Vjedhjet janë kryer gjatë muajit nëntor, ndërsa njëri preh të dyshuarve u arrestua teksa po shiste mjetin e vjedhur.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas administrimit të kallëzimeve nga qytetarët, për vjedhjen e biçikletave, në lagje të ndryshme, është organizuar puna dhe është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, shtetasve:
– M. T., 38 vjeç dhe L. Xh., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, janë autorë të vjedhjeve të 3 biçikletave, konkretisht;
-më datë 07.11.2024, në lagjen “28 Nëntori”, kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit S. T., 42 vjeç;
-më datë 06.11.2024, në lagjen “Dyli Haxhire”, dyshohet se kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetases F. P., 38 vjeçe;
-më datë 05.11.2024, në lagjen “Kongresi”, dyshohet se kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit E. K., 58 vjeç.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore dhe të disa rasteve të vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë që dyshohet se janë kryer nga këta dy shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.