TIRANË

Policia ka vënë në pranga dy persona, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, kryenin vjedhjen e kasetave të  shpërndarjes së internetit nëpër pallatet e Tiranës. Pas arrestimit të tyre, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, disa prej kasetave të vjedhura prej tyre në kryeqytet.

Ndërkohë vijon puna për zbardhjen e të gjithë veprimtarisë për të dy të arrestuarit, ndërsa nga hetimet e kryera është konstatuar se njëri prej tyre rezulton i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”.

Njoftimi i policisë:

Vidhnin kasetat shpërndarëse të internetit nëpër pallate duke dëmtuar fibrat optike dhe së fundmi ne zyrat e njësisë se mirëmbajtjes se rrjetit elektrik në Tiranë, vihen në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, autorët e dyshuar të këtyre vjedhjeve.

Zbardhen disa vjedhje të ndodhura më parë, ku dyshohet se janë kryer nga këta shtetas. Sekuestrohen në cilësinë e provës sendet elektrike të vjedhura.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, pas kallëzimeve të marra nga administratorët e disa pallateve për vjedhjen e kasetave shpërndarëse te internetit duke këputur fibrat optike, si dhe së fundmi për vjedhjen një nga zyrat e njësisë së mirëmbajtjes së rrjetit elektrik në Tiranë, kanë organizuar punën duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– E. D.,23 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

– B. K.,31 vjeç banuese në Tiranë.

Gjatë momentit të arrestimit policia u gjeti dhe sekuestroi edhe materialet elektrike të vjedhura, konkretisht një njësi qendrore kompjuteri, dhjetra metra tel alumini e kabllo elektrikë. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit u bë dokumentimi edhe i një sërë vjedhjeve të kryera nga këta persona në periudhën shkurt-mars nëpër ambientet e përbashkëta të pallateve në kryeqytet, ku kanë vjedhur kasetat shpërndarëse te internetit duke këputur fibrat optike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim në më shumë se një herë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb