Arlind Qori, kryetar i lëvizjes “Bashkë” i ftuar në programin “Opinion” të moderatores Ola Bruko në News24 rrëfeu një detaj lidhur me protestat e pensionistëve. Ai tha se ndaj pensionistëve ushtrohen presione, jo direkt, por indirekt, ndaj fëmijëve të tyre që mund të jenë në punë shteti.
Në këtë kuadër, Qori solli në vëmendje një detaj.
“Shumë pensionistë ndjehen të kërcënuar me fëmijët e tyre. Dje takova një pensionist, më tha nuk më njeh sepse vij me kapele në protestë dhe djali më thotë ver një kapele që mos të të njohin se je ti se më heqin nga puna. Kanë frikë njerëzit për vendet e punës dhe këtë e dëgjoj masivisht çdo ditë. E dëgjoj nga ata që kanë fëmijët në punë shteti, ata që kanë një biznes. Kjo është një formë e diktaturës, një formë e kërcënimit të njerëzve. Kjo nuk është demokraci”, tha Qori.
Kreu i Lëvizjes Bashkë tha se 2 vite e 3 muaj më parë, para se të ishte parti politike ka mbledhur 21 mijë firma për projektligjin mbi vendosjen e minimumit jetik.
“Kjo do rriste pensionet. Kjo nuk është llogari elektorale. Kur e kemi nisur çështjen e pensioneve na thoshin e keni kot se e kanë ndarë që në 91. Por kjo protestë ka gjetur vend te pensionistët. Janë kategoria më e brishtë, në çdo protestë vjen ambualanca, ka të tjerë vijnë dhe rrinë 10 minuta e nuk durojnë dot diellin. Nuk janë si studentët që rrinë 5 orë…”, tha Qori.
(BalkanWeb)