Skuadrat e policisë vijojnë kërkimet në rrethinat e Shijakut, për gjetjen e trupit të pajetë të Jan Prengës, i cili u rrëmbye dhe torturua deri në vdekje nga anëtarët e një karteli droge, pas zhdukjes së një sasie të madhe kokaine në Britaninë e Madhe. Burimet thonë se po kërkohet deri në një distancë prej afro 4 kilometrash nga resorti luksos ‘Golden’, në pronësi të të shumëkërkuarit Altin Hajri.
Policia beson se personat që zhdukën kufomën nuk kanë mundur të largohen më shumë sesa kjo distancë, nisur nga koha që u është nevojitur për tu largur e më pas rikthyer sërish në resort. Kështu të paktën rezulton nisur nga përllogaritja e orarit të lëvizjeve fiksuar nga kamerat e sigurisë të sekuestruara në bodrumin e kompleksit luksoz. Ishin pikërisht pamjet filmike, që ndihmuan policinë të identifikonte personat e përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të 49-vjeçarit.
Festim Bexhdili mendohet të jetë njëri nga personat që ka marrë pjesë direkte në groposjen e pengut. Ai ka vepruar bashkë me një mikun e tij, në kërkim të të cilit është vënë Policia, por nuk ka mundur ende ta verë në pranga.
Ndërkohë Policia e Shtetit thotë se ka shtuar masat e sigurisë në perimetrin ku banon familja e Jan alias Dodë Prengës. Në vëzhgimin e saj është edhe familja e vëllait tjetër, i cili gjithashtu nuk rezulton të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale.
Familja Prenga ka dy djem të përfshirë në trafikimin e drogërave të forta nga Amerika Latine drejt Britanisë së madhe. Pikërisht përplasjet mes trafikantëve për mosdorëzimin e kokainës tek grupet që e kishin financuar, janë motivi i krimit të rëndë. Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës janë në kërkim edhe disa persona të tjerë, mes tyre edhe Gentian Doçi. Ky i fundit bashkë me të burgosurin në Ekuador, Dritan Rexhepi urdhëruan të merrej peng Jan Prenga, me qëllim që t’i ushtrohej presion vëllait të tij të kthente drogën.