Për më shumë se 24 orë kanë vijuar reshjet e dendura të dëborës në malësinë e Krujës, në Parkun Kombëtar të QafShtamës dhe në fshatrat e malësisë së Krujës, ku niveli i dëborës ka arritur deri në 60 cm. Mungesa e energjisë elektrike vijon në të gjithë Njësinë Administrative Culli, dhe të gjitha rrugët janë të bllokuara nga niveli i dëborës dhe prania e akullit.

Gazetari Andi Shota raporton për Balkanweb se ndërkohë, vazhdon puna për pastrimin e aksit Fushkrujë-Krujë, ku gjatë ditës së djeshme dhe natës një numër i madh pishash janë shembur përreth këtij aksi, duke bllokuar atë në disa pika. Madje, një prej pishave ka rënë mbi një automjet që udhëtonte në këtë aks, duke e dëmtuar atë.

Sa i përket nivelit të lumit Ishëm, ai ka rënë dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për përmbytje.

Problem mbetet mungesa e energjisë elektrike në disa zona, dhe, ndonëse grupet e OSHEE-së kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të normalizuar situatën, ka qenë e pamundur që situata të normalizohet deri tani për shkak të kushteve atmosferike, defekteve të shumta dhe mungesës së stafit, pasi i gjithë rrethi mbulohet vetëm nga 3 elektricistë të OSHEE-së.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: