E kthyer në një traditë të bukur sportive, Gjysmë-Maratona e Tiranës vjen këtë vit në në 13 tetor, në edicionin e saj të katërt, me mbi 1 mijë vrapues të regjistruar nga 35 vende të ndryshme të botës. E certifikuar nga International Athletic Federation (IAAF), Gjysmë-Maratona e Tiranës do të ketë plot risi, përfshi një itinerar të ri, që përshkon disa nga pjesët më tërheqëse dhe të bukura të kryeqytetit. Ajo ka ngjallur interesin e veçantë, jo vetëm të apasionuarve pas vrapimit brenda vendit, por gjithnjë e më shumë po zgjeron hartën e saj me pjesëmarrës edhe nga shumë vende të tjera të botës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u regjistrua sot si pjesëmarrës në maratonë, në një nga pikat e ngritura posaçërisht nga organizatorët në sheshin “Skëndërbej”, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duan të garojnë që të regjistrohen sa më parë. “Sapo u regjistrova për të vrapuar në maratonën e Tiranës në 13 tetor. Kam një lajm të mirë për të gjithë ata që, si puna ime, e kanë lënë për minutën e fundit: regjistrimet i kemi shtyrë deri në 6 tetor, ndaj dua t’i ftoj të gjithë ata qytetarë, të apasionuar pas sportit apo atletë, të shfrytëzojnë kohën deri në 6 tetor”, tha Veliaj.

Ai shtoi se gara e tij këtë vit do t’i kushtohet ndërgjegjësimit të qytetarëve për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti i muajit të shkuar. “Unë kam zgjedhur një kauzë, do të vrapoj në maratonë për të ndihmuar rindërtimin e të gjitha shtëpive të prekura nga tërmeti. Nëse dikush, ashtu siç ka mbështetur disa kauza mjedisore apo kauza të tjera sociale, do të mbështesë kauzën për të cilën unë vrapoj, di se ku më gjen në qendër të Tiranës. Keni një mundësi fantastike që nëpërmjet këtij aktiviteti sportiv, edhe shumë kauza të tjera, duke filluar nga rindërtimi i shtëpive tek ato për personat me aftësi të kufizuar apo kauzat mjedisore, të gjejnë sadopak mbështetje”, theksoi Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pjesë e maratonës nuk do jenë vetëm të rinjtë dhe ata që merren me sport, por edhe të moshuar që kanë vendosur të sfidojnë vitet e jetës dhe të provojnë veten në këtë garë. Në Ditën e të Moshuarve, kryebashkiaku tha se regjistrimi i kësaj kategorie është pa asnjë kosto. “Për të gjithë të moshuarit maratona e Tiranës është pa kosto. Ne kemi të moshuar mbi 65 vjeç, 83-84 vjeç, me shpresë do kemi edhe 100 vjeç, pasi ai që është i ri në shpirt nuk matet me kalendar, por me atë që ndien dhe takatin që ka për të jetuar një jetë të shëndetshme në Tiranën tonë”, shtoi Veliaj.

Një tjetër kategori që do jetë e favorizuar për të marrë pjesë në Gjysmë-Maratonë do jenë edhe studentët. Kryebashkiaku nënvizoi se të gjithë ata që kanë një kartë studenti do të përfitojnë ulje në kuotën e regjistrimit. “Lajmi tjetër i mirë është: për të gjithë studentët kemi ulje me kartën e studentit deri në 80% të maratonës. Pagesa është komplet simbolike, sa për t’u siguruar që ai që regjistrohet realisht vjen, duke qenë se bashkia paguan një çip, një bluzë, një çantë me të gjitha materialet e maratonës”, sqaroi Veliaj.

Duke iu referuar regjistrimeve të deritanishme, ai tha se interesi është vërtet i lartë, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga shumë shtete të ndryshme. “Kemi nga 35 shtete pjesëmarrës, nga Australia deri në SHBA. Praktikisht kemi nga çdo kontinent dhe besoj se edhe gara këtë herë do jetë e fortë. 1000 prej garuesve janë profesionistë, ndaj përveç atyre që do vrapojnë për qejf dhe për atë që quhet fun-run nga shkollat tona. Kemi pasur shumë garues të fortë, sidomos nga shtete të ndryshme afrikane, të cilat kanë një kulturë më të madhe për maratonat; kanë shumë qëndrueshmëri dhe më shumë eksperiencë, por duke qenë se kemi kampionë nga maratona jonë e Voskopojës dhe disa gara të tjera të triathlonave, shpresoj shumë që edhe garuesit shqiptarë do bëjnë një performancë fantastike, duke qenë se kemi disa çmime dhe premium financiare që mirë do ishte të ngeleshin në Shqipëri, duke qenë se edhe ne kemi disa vite që bëjmë maratonën”, tha më tej ai.

Ndërsa, falenderoi vullnetarët për organizimin e këtij eventi ndërkombëtar sportiv, Veliaj tha se Gjysmë-Maratona është edhe një mundësi shumë e mirë për promovimin e Tiranës. “Maratona është një mundësi ideale për turizëm, për të treguar imazhin e qytetit, është një kartolinë për Shqipërinë, ndaj ju kërkoj të gjithëve në itinerarin e maratonës, por në gjithë Tiranën, mirë është që ta mbajmë pastër, të respektojmë barrierat, duke qenë se e dimë se atë ditë i gjithë qyteti është bllokuar, të mos insistojmë të kalojmë rrugën në momentin që po vrapohet. Nëse gjithë qytetarët do na bashkohen në këtë nismë, për të dalë realisht të nderuar nga gjithë miqtë që do vijnë dhe qindra vrapues që sjellin familjet e tyre, kalojnë dy-tre netë në Tiranë, shpenzojnë për turizmin, do jetë realisht një kartolinë e Tiranës evropiane. Europën e kemi vetë në dorë nga gjërat që bëjmë, mënyra si organizojmë, si prezantohemi dhe besoj që do dalim të gjithë faqebardhë nga organizimi i këtij edicioni të maratonës së Tiranës”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu, pjesëmarrës në këtë Gjysmë-Maratonë do jetë edhe 83 vjeçari Nexhat Xhemalçe, një garues i përhershëm i garave të tilla në shumë vende të botës. “Kam gati 30 vjet që frenkuentoj këtë aktivitet sportiv. Gjatë këtyre 30 viteve kam një gamë të madhe aktivitetesh qofshin këto rang kombëtar dhe atij ndërkombëtar”, tha Xhemalçe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb