I ati i 14-vjeçarit të plagosur ditën e sotme gjatë sherrit që ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” ka zbuluar për News24 atë që djali i tij i ka treguar deri më tani në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Sipas tij i biri kishte shkuar te shkolla “Fan Noli” pasi ishte thirrur nga viktima, i cili ishte shoku i tij i ngushtë.
Babai tregoi më tej se në momentin që djali arritur atje dy persona i kanë goditur me thika, 14-vjeçarin e plagosur dhe viktimën.
Ai zbuloi se sherri ka nisur ditën e premte, kur viktima dhe një ish-shok i tij, po ashtu në shkollën “Fan Noli” janë konfliktuar në oborr, ndaj edhe kishin lënë një takim ditën e sotme.
Sipas dëshmisë së tij, me viktimën dhe djalin e plagosur ishte edhe një adoleshent tjetër, i cili nuk është dëmtuar dhe po jep dëshminë e tij në komisariatin e policisë.
“Fola me djalin pak dhe më tha se shkoi te shkolla Fan Noli të takonte një shok sepse ai kishte një problem me një shok të klasës që e ka goditur. Në momentin që arriti te shkolla dy personat që ishin atje i kanë goditur me thika djalin tim dhe viktimën. Nuk e di pse janë konfliktuar. Ish-shoku i viktimës e ka goditur ditën e premte në oborrin e shkollës, kaq di deri tani. Ditën e sotme u goditën me thika. Djali më tha se ishin dy veta me thika dhe pjesa tjetër që ishin më shumë vetë janë larguar pasi panë thikat. Ata janë kapur në befasi dhe janë goditur më pas.
Nuk i kemi treguar për gjendjen e shokut të tij, kishte 7 vite që rrinte me të dhe nuk duam ta stresojmë duke i treguar. Djali tjetër është te drejtoria e policisë duke dëshmuar. Kemi folur me familjarët e fëmijëve të tjerë”, tregoi ai.