ELBASAN- Një ditë pas vrasjes me 5 plumba në kokë të biznesmenit Saimir Beqiri, policia dhe prokuroria e Elbasanit nuk kanë dalë me një version zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lagjen “Skënderbej” të këtij qyteti. Pavarësisht hetimeve intensive, nuk është bërë e mundur rënia në gjurmët e dy autorëve të krimit, të cilët i morën jetën babait të tre fëmijëve. Ndërkohë, mësohet se atentati ndaj 51-vjeçarit ka qenë i paralajmëruar. Burime jozyrtare dje bënë me dije se viktima ishte në dijeni se ishte vënë në shënjestër.

Mësohet se Beqiri prej disa ditësh, në rrethin e shoqërisë së tij të ngushtë, ishte shprehur se nuk i kishte punët mirë. Që para një jave ai kishte zbuluar se ndaj tij mund të kryhej ndonjë atentat. Madje, biznesmeni ishte shprehur se persona të paidentifikuar po e ndiqnin nga pas me një automjet, dhe ky ishte një sinjal se jeta e tij ishte në rrezik. Por, pavarësisht dyshimeve, Saimir Beqiri nuk kishte bërë denoncim në polici. Gjë kjo që i ka kushtuar dhe jetën.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen në fjalë, policia e Elbasanit ka vënë në pranga rojen e pikës së karburantit, e cila ndodhet afër vendit ku u ekzekutua biznesmeni. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Shkëlqim Alla, banues në fshatin Gogolesh të Elbasanit, i cili akuzohet për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Sipas burimeve nga policia lokale, dyshohet që Alla ta ketë parë ngjarjen, por nuk ka kallëzuar në organet ligjzbatuese. Gjatë marrjes në pyetje, 42-vjeçari ka deklaruar se e ka parë viktimën të shtrirë, por nuk ka mundur dot ta shohë vrasjen. “Në momentin që ka ndodhur vrasja, unë kam qenë brenda godinës së karburantit dhe nuk kam parë asgjë”, ka thënë Alla para bluve.

Ndërkaq, burime pranë grupit hetimor sqaruan se, pas vrasjes së ndodhur rreth orës 06:45 të së hënës, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë përdorur nga arma e autorit të krimit. Sipas hetuesve të çështjes, atentatori ka qëlluar gjashtë herë në drejtim të viktimës, por pesë plumba kanë mundur ta godasin atë në kokë duke i shkaktuar edhe vdekjen. Këto prova po verifikohen, ashtu sikundër po vijojnë hetimet për të bërë të mundur gjetjen e ndonjë tjetër gjurme të lënë nga autori në vendin e ngjarjes, por deri më tani policia nuk ka konfirmuar ndonjë dyshim për ndonjë person të përfshirë në këtë krim.

Gjithsesi, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka shoqëruar dhe ka marrë në pyetje më shumë se 45 persona (dëshmitarë okularë, familjarë si edhe shokë të viktimës), për të mësuar më shumë rreth aktivitetit të tij gjatë muajit të fundit, apo për të mësuar për ndonjë kërcënim të tij, me qëllim që t’u afrohet sa më shumë gjurmëve të autorëve.

HETIMET
Burime konfidenciale deklaruan se biznesmeni Saimir Beqiri ishte në dijeni të atentatit që para një jave. Edhe pse nuk kishte denoncuar zyrtarisht në Polici, bëhet e ditur se ai kishte pohuar se një mjet i dyshimtë e ndiqte nga pas, por që nuk kishte mundur të identifikonte personat që ndodheshin në atë automjet, edhe pse e ndjente që ata kishin si qëllimi që të bënin atentat ndaj tij. Policia është njohur me këtë fakt vetëm pas vrasjes së 51-vjeçarit. Tri janë pistat ku po heton policia, për vrasjen e Saimir Beqirit. Pista e parë e hetimit është ajo e hakmarrjes, pasi viktima është vëllai i Gentian Beqirit, i cili u vra bashkë me babain e tij në vitin 2012, nga një person identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Gentian Beqiri ishte një nga personat e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, dhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai ishte dënuar me arrest shtëpie, por që u vra brenda në banesë me një pistoletë me silenciator. Policia asokohe dyshoi se autori i vrasjes ishte nipi i Sokol Çapjes, Florenci, por ky i fundit nuk e mori asnjëherë përsipër krimin, duke u zbardhur edhe e vërteta, sipas së cilës, në kohën kur është kryer vrasja, ai ka qenë në Maqedoni. Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, Policia dyshon se vrasja e Saimir Beqirit mund të ketë ndodhur për motive hasmërie, por tashmë pistat e hetimit janë shtrirë edhe te trafiku i lëndëve narkotike, por edhe te biznesi i tij (për shkak të konkurrencës).
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: