TIRANE– Vendimi i fundit i qeverisë Rama për të dëmshpërblyer familjet e 4 viktimave që u vranë në demonstratën e dhunshme anti-qeveritare të organizuar nga PS kundër qeverisë Berisha në 21 janar 2011, synon më shumë të qetësojë familjet e viktimave dhe shpirtrat e të vrarëve, sesa të bëjë drejtësi. Pas 6 vitesh, shteti shqiptar ka pranuar përgjegjësinë për vrasjet, dhe ka nisur të dëmshpërblejë familjet e viktimave.

Dënime për ngjarjen u dhanë për ish-kreun e Gardës dhe Shefin e Shtabit të Njësisë Speciale, por këto vendime nuk kanë qetësuar familjarët e viktimave.

Në emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24”, gazetari Artan Hoxha thotë se ndonëse për këtë ngjarje ka prova dhe filmime, ende nuk është dhënë drejtësi.

Hoxha thotë se vendimi për dëmshpërblimin e familjeve të 4 viktimave të “21 Janarit” është dhënë nga Gjykata, dhe jo nga Qeveria.

Si ndihesh këtë “21 janar”?
Ky është i gjashti 21 janar që kalon nga ajo ngjarje, dhe për fat të keq nuk ka ende drejtësi. Më i rëndë bëhet ky faj, lur nuk di ndonjë krim tjetër në vend që të ketë kaq shumë prova dhe filmime, e dimë me zë dhe figurë se cilët janë personat përgjegjës, dhe nuk ka një vendim gjykate që të qetësojë familjarët dhe shpirtrat e atyre që u vranë në bulevard. Simbolika që është përzgjedhur, vendosja e pllakave prej bronzi, është një kujtesë për çdo qytetar në këtë vend. Pikërisht ky fakt, mosdhënia e drejtësisë për këtë ngjarje të bën që sa herë vjen 21 janari të kujtosh sesa e vështirë është në këtë vend, që të jepet drejtësi.

ARTAN HOXHA
Është miratuar dëmshpërblimi për familjarët e viktimave. Ky dëmshpërblim vjen pas 6 vitesh sa e lehtëson drejtësinë?
Ky vendim tërhoqi gjithë vëmendjen e asaj që duhet të ishte sot kujtesa e një masakre të ndodhur në bulevard. Familjarëve u takon dëmshpërblimi për pasojat e rrjedhura nga ajo ngjarje. Këshilli i Ministrave ka patur një mundësi tjetër që duhet ta shfrytëzonte, të jepte me anë të një VKM një dëmshpërblim më të madh për familjet. Nuk e di çfarë ka ndodhur, por ajo nismë nuk u finalizua. Familjarët iu drejtuan gjykatave. Bëhej fjalë për një dëmshpërblim më të madh. Dëmshpërblimin nuk po ua jep qeveria, por Gjykata.

Gjykata e ka dhënë vendimin muaj më parë, pse u vonua dëmshpërblimi?
Është dashur të bëhej një hile. U bë si një lloj pendese nga qeveria, që ndonëse nuk jepnin dot drejtësi, të lehtësonin dhimbjet. 4 viktimat kanë lënë 8 jetimë. Ky dëmshpërblim iu takon sipas legjislacionit. Këtë dëmshpërblim nuk e ka dhënë qeveria, por Gjykata. Jeta e atyre që e humbën më 21 janar vlen më shumë se kaq. Nuk dua ta besoj sot se kemi të bëjmë me njollosjen e gjakut të viktimave të “21 janarit”. Por lidhja e tyre është bërë për të treguar një lloj pendese, pra meqë s’po gjejnë fajtorët, po lehtësojnë dhimbjet. Shpërblimi për ta duhet të ishte më i madh. Disa prej tyre janë drejtuar në Strasburg, dhe s’mund të ndjekin një proces të kushtueshëm.

Si e kujtoni protestën e “21 Janarit”?
Kur turma ka filluar të mblidhet, ballkoni ku ishim vendosur ne kishte edhe përfaqësues të ambasadave të huaja. Gjatë ditës së 21 janarit unë nuk kam raportuar mbi ngjarjen, mbase edhe për shkak se gjithë stafi ka qenë në terren. I vetmi moment kur unë kam marrë në telefon redaksinë, ka qenë kur është filluar të qëllohet me armë. Kam thënë që janë fishekë luftarakë, pasi kam parë degët e pishës të binin në tokë, gjë që nuk do të ndodhte me fishekët manovër. Më vonë unë kam vazhduar të ndjek ngjarjen. Kam filmuar edhe vetë. Pasi u shua protesta kam kontaktuar kameramanët që ishin në vendngjarje, për të dokumentuar momentin kur është qëlluar. Kam ende kasetat origjinale.

Për rihapjen e çështjes së 21 janarit, a ka prova?
Kjo është një nga ngjarjet më të dokumentuara në Shqipëri, me prova materiale, me dëshmi. Por është ndjekur një taktikë e tillë, që kjo çështje të mos hetohet por të mbyllet në rrugë gjyqësore. Në rrugë gjyqësore çështja është mbyllur, prandaj familjarët i janë drejtuar Strasburgut për të rihapur çështjen. Megjithatë për dy viktima nuk ka ende autorë. E vetmja mundësi sot që të hapet kjo çështje, është që të riaktivizohen hetimet për faktin se nuk ka autorë për dy viktima.

Po Grada e Republikës a ka patur një hetim të brendshëm për këtë ngjarje, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më?
Në fakt është bërë një hetim i ngjarjes, në 2013. Ngjarja është analizuar me idenë që të mos përsëritet më, dhe njësitë e Gardës të dinë si të sillen në situata të tilla. Ka një detaj që duket pak i pabesueshme, se një pjesë e mirë e oficerëve kur ndodhi ajo ngjarje, sot janë angazhuar në politikë.
A të ka ndodhur të jesh në të njëjtat ambiente publike me personat që i ke denoncuar për këtë ngjarje?
Në fakt më ka ndodhur. Ka qenë një ndjesi aspak e mirë. Por më tepër se unë janë ndjerë nën presion personat që kanë qenë të shoqëruar me mua. Kam rastisur edhe me Ndrea Prendin, edhe me Agim Llupon. Këto persona janë sot të lirë, kanë mbaruar punë me drejtësinë.

A mendoni se do jepet drejtësi për këtë ngjarje?
Në çdo ngjarje kriminale në Shqipëri ku është përfshirë politika, nuk është dhënë asnjëherë drejtësi. Edhe në rastin konkret, pavarësisht përpjekjeve është e vështirë. Ndaj them që Ambasada Amerikane është me rëndësi që të bëjë apelin e çdo vitshëm për shpresën se do të jepet drejtësi për “21 janarin”.

Si i lexuat deklaratat e ministrit Tahiri, se një ngjarje e tillë nuk do të përsëritet me kurrë në Shqipëri, cilado qoftë mazhoranca dhe opozita që do t’i qëndrojë përballë?
E dëgjova me vëmendje prononcimin e ministrit të Brendshëm. Së pari ai u shpreh për dëmshpërblimin, duke thënë se kjo nuk është drejtësi, por po mundohemi të lehtësojmë dhimbjen. Duke folur për ndryshimin në ligj, ministri tha që mos të përsëriten më raste të tilla, ku nga Policia apo Grada të vriten qytetarë të pafajshëm. Edhe sistemi i drejtësisë tashëm e ka dhënë verdiktin e vet, dhe shpresa e vetme mbetet Gjykata e Strasburgut që të detyrojë organet e drejtësisë në vendin tonë që të rigjykojë çështjen.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb