Gjatë 10 viteve të punës sime si gazetare dhe psikologe në “News24” në emisionin “Me zemër të hapur” më është dashur të përballem me dhjetëra herë me raste të vështira, me rrëfime rrëqethëse të cilat shpesh më duken të pabesueshme. Java që shkoi shënoi edhe fillimin e sezonit të ri televiziv dhe brenda saj publikuam 3 raste te cilat dëshmojnë qartë nevojën emergjente të kësaj shoqërie për reflektim. Një burrë nuk pranonte divorcin, nuk pranonte që fëmijët e tij të jetonin me nënën e padenjë siç e konsideronte ai dhe ajo që shërbeu si alarm ishte një video. Shpëtim Omeri i deklaronte ish-gruas se do ta vriste, do vriste më pas edhe veten, ndërsa fëmijëve u kërkonte që pasi të mbeteshin jetimë të kujdeseshin për njëri-tjetrin.

Përpara se të shihja këtë video të cilën ma dërgoi Ermira ish-gruaja e tij, kisha ditë që flisja me Shpëtimin. “Më beso!- thoshte ai, -ajo më ka akuzuar padrejtësisht, ajo përfiton nga pensioni i invaliditetit të djalit, ajo fle nëpër hotele me të tjerë dhe fëmijët i lë vetëm….” Pa fund akuza hidhte ndai ish-gruas dhe donte të vinte në emision për të thënë me zë të lartë se ai ishte viktima. Pas videos u ndjeva e frikësuar për Ermirën, për skenarin e tmerrshëm që po thurte në kokë ish-burri i saj dhe për fatin e fëmijëve të tyre. Rasti tjetër që pasoi ishte po aq i rëndë. Ishte një grua këtë herë e cila më telefonoi dhe kërkonte ndihmë për të bijën. Teksa bëja gati skaletat, një tjetër video më erdhi në telefon.

E hapa dhe e mbylla përnjëherë. Nuk mundesha dot ta shihja, as ta besoja. Një 31-vjeçare me probleme të shëndetit mendor e cila ishte kapur prej flokësh nga burri dhe vjehrra që e godisnin pa pushim në kokë, e gjithë skena e horrorit zhvillohej në prezencë të fëmijëve të mitur të cilët në pamundësi për të ndihmuar nënën e tyre ulërisnin dhe qanin pa pushim. Një tjetër fëmijë i mitur kujdesej ta filmonte gjithë skenën që më pas ta çonin në polici dhe të besohej fjala e tyre. Për vjehrrën dhunuese erdhi një tjetër denoncim, nga nusja tjetër e shtëpisë e cila po ashtu dëshmonte se ishte trajtuar në mënyrë çnjerëzore në atë familje.

Po çfarë sjell dhuna ndaj grave dhe çfarë pasoje ka tek fëmijët dëshmitarë të kësaj dhune? Një fëmijë i rritur në të tillë mjedis është një fëmijë i frikësuar të cilit i rrezikohet seriozisht jeta. Kjo lloj dhune mund të shkaktojë tek ta sëmundje kronike, dobëson sistemin imunitar, dëmton sistemin nervor, dëmton zhvillimin konjitiv të tyre dhe i bën ata të predispozuar për t’u prekur nga çrregullimi i post- traumës. Të rritur në të tillë mjedis, ata do të modelojnë të njëjtën sjellje, me gjasë do të flasin me gjuhën e agresivitetit dhe dhunën do ta shohin si një përgjigje normale ndaj tjetrit. Ndërsa gratë që dhunohen e kërcënohen janë po ashtu të trembura dhe si të tilla e kanë të pamundur të luajnë siç duhet rolin e nënës.

Ato nuk arrijnë dot t’u japin fëmijëve të tyre sigurinë, mbështetjen, dashurinë dhe mbrojtjen për të cilën ata kanë aq shumë nevojë. Po ku është shteti i cili ka për detyrë mbrojtjen dhe strehimin e tyre? Çfarë roli luan policia? Ku janë shoqatat dhe organizatat, ku është zëri i tyre? Ku janë familjet e viktimave të dhunës? Familja është institucioni që duhet të mbrojë në çdo rrethanë fëmijët e tij. Prindërit nuk duhet kurrësesi të gjykojnë as të justifikohen me varfërinë, duhet të jenë aty për të bërë gjithçka që vajza e bërë nënë të ketë sërish derën e hapur dhe dorën e shtrirë për ta mbajtur fort.

Nëse bëheni dëshmitarë të dhunës ndaj një gruaje, ndaj një fëmije apo kujtdo tjetër reagoni, telefononi policinë dhe bëni gjithçka mundeni për ta ndihmuar atë! Nëse sot heshtni, nesër mund të jeni ju viktima.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: