Violinisti durrsak Ronald Deda është prezantuar këto ditë para publikut spanjoll me një koncert me vepra të autorëve të shek 18-te-19-te. Artisti 18-vjeçar mbërriti në Spanjë si fitues i edicionit të 7-të të Bienales muzikore, në një seksion kushtuar talenteve të reja nga qyteti bregdetar.

Gjatë prezantimit të tij në Spanjë, violinist i njohur Florian Vlashi, organizator i Bienales, tha se “konkursi që ne zhvillojmë në Durrës që prej më shumë se 10 vitesh vetëm për talentet e Shkollës se Muzikes, mundëson ftesën për fituesin në Spanjë, jo vetëm per koncert, por edhe për të njohur kulturën e një vendi”. Më parë kanë interpretuar para publikut spanjoll edhe nxënëset fituese Albana Karaj në violonçel dhe Kamela Haxholli në piano.

Ronald Deda, i shoqëruar nga pianisti Gabriel Lopez, interpretoi në auditorin Andres Gaos të Konservatorit të Muzikës në La Korunja vepra nga J. S. Bach, Brahms dhe Saint Saens. Deda u duartrokit nga të pranishmit për teknikën dhe vlerat e interpretimit.

Violinisti shqiptar, nxënës në klasën e mësuesit Arben Diko, më parë është vlerësuar si solist edhe në koncertet e orkestrës së Harqeve “Aleksandër Moisiu” dhe Orkestrës sinfonike “Jan Kukuzeli” të shkollës me të njejtin emër në Durrës. Djaloshi nga Durrësi kohët e fundit është pranuar të ndjekë studimet në Wayne State University Detroit, SHBA.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: