Nga FATMIRA NIKOLLI*

Shkëlzen Doli, violinisti që interpretoi “Shpirtin shqiptar” në Koncertin e Vjenës më 1 janar, do të jetë këtë të shtunë në Tiranë. Artisti është i ftuar special i koncertit “Tre tenorët”, që mbahet të shtunën, më 31 janar, në Pallatin e Kongreseve. Lajmi konfirmohet për “Gazeta Shqiptare” nga organizatori i “Tre tenorëve”, Edmond Tullumani, i cili flet për programin, të ftuarit dhe misionin e këtij koncerti.

Shkëlzen Doli, u bë më i dashur për publikun shqiptar, kur më 1 janar, bëri pjesë të koncertit vjenez kabatë e Laver Bariut, këngën “Hapi sytë e zez të na sjellësh beharnë”, e jo vetëm. Katër minutat e muzikës shqiptare, përfshinin motive nga këngë shqiptare dhe nga vallet e njohura të dasmave të jugut.

“Albanian Soul”, u interpretua nga violinisti i Filarmonisë së Vjenës, Doli, së bashku me violonçelistin Edison Pashko dhe klarinetistin Hekuran Xhambali. Mendohet se koncerti vjenez, ndiqet nga të paktën 50 milionë shikues. Pjesët muzikore shqiptare ishin përpunuar nga violinisti. Ndërkaq, Edmond Tullumani, tregon koncertin e sivjetshëm të “Tre tenorëve”.

Cilët janë emrat e “Tre tenorëve” të sivjetshëm?

“Tre tenorët” mbahet më 31 janar në Pallatin e Kongreseve, në orën 19:00. Ai titullohet “Tre tenorët nga Kosova” dhe kemi të bëjmë me një tematikë krejt të veçantë. Vit pas viti kemi sjellë “Tre tenorët amerikanë”, “Tre tenorë rusë” e tani janë “Tre tenorët nga Kosova”, të një shteti të ri. Ramë Lahaj është një tenor që po shndrit deri në “Royal Opera”. Ai ka qenë një nga artistët që unë kam promovuar. E kam ndjekur që kur ka qenë student dhe vjen kur është artist i formuar, tenor i nivelit të lartë. Tjetri është Faik Hondozi, i cili vlerësohet si karakter i veçantë i operës paraklasike, siç thuhet, dhe është në Vjenë. Të tretin kemi një tenor të Filarmonisë së Kosovës që është Liridon Sadriu, i cili po ashtu ka një zë shumë të mirë. I themi botës se ky shtet i ri, vëllezërit tanë, kanë kulturë dhe i këndojnë shumë mirë ariet botërore, me interpretimin e të cilave po bëjnë karrierë.

Cilët janë të ftuarit specialë?

Ne kemi gjithnjë të ftuar specialë. Sivjet janë Kastriot Tusha, Ramona Tullumani, vjen Genc Tukiçi dhe ilaçi i përshëndetjes, është një surprizë që po na bëhet nga qershia mbi tortë sivjet në Vjenë. Do na vijë pra Shkëlzen Doli, i cili ka një diciturë shumë interesante: “Në Vjenë solla Shqipërinë, në Tiranë do sjell Vjenën”. Pra do të interpretojë muzikë vjeneze.

Me rëndësi të përmendim është që vjen edhe drejtori i Filarmonisë së Nju Jorkut, mbështetur nga Ambasada amerikane, për të dirigjuar këtë koncert, ashtu siç Ambasada e Kosovës mundësoi ardhjen e këtyre artistëve.

Cili është programi i “Tre tenorëve”?

Do vijë kënga kosovare, që është shumë e bukur. Por ajo vjen e përpunuar nga Robert Radoja, Alqi Lepuri, Bujar Llapi e Lorenc Radovani, të cilët i kanë sjellë në kohë dhe ia përshtasin më bukur këtij koncerti. Kryesor është motivi shqiptar, si ai që pamë në Vjenë. I përpunuar, ai bëhet kaq brilant! Sigurisht ka edhe arie botërore. Orkestra ka rolin e vet në koncert, se ka pjesë amerikane. Ka shumë surpriza që nuk do doja t’i zbuloja sot.

Përmes këtij koncerti, ju keni bërë promovimin e shumë emrave të artit dhe keni ‘mbledhur’ të ikurit prej nesh. Do vijojë misioni?

Vjehrri im, Ramiz Kovaçi, thoshte se zërat më të bukur i ka veriu dhe jugu. Kënga majekrahu (e zonës së Mbishkodrës), është një këngë që këndohet nga zëra tenorësh. Mund të them se kemi zëra shumë të mirë. Tenorët tanë po bëjnë karrierë. Koncerti ka emrin e vet, prej 14 vitesh tashmë, dhe po, misioni im do të vazhdojë. Më kujtuat që, ndërsa po punoja për të zgjedhur pjesët më të mira të këtij koncerti, edhe unë u habita se sa shumë emra kam pasur të ftuar. Shihja Josif Gjipalin, Gaqo Çakon, Kastriot Tushën, Armaldo Kllogjrin, Agim Hushin etj., etj. Ky koncert ka qenë paradë tenorësh shqiptarë. Ai ka afruar tenorë spanjollë, holandezë, italianë, gjermanë, napolitanë etj. Ky koncert ka bërë shumë për artin, pasi muzika është diplomacia më e mirë. Dhe unë, këtë kam ndër mend të bëj në vazhdim.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb