Dënimin e udhëheqësit të grupeve paramilitare serbe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, Vojisllav Sheshel nga Tribunali i Hagës, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri, e ka cilësuar lajm të mirë për viktimat, por “të pamjaftueshëm”.

Sipas deputetit të Grupit të Pavarur të Deputetëve, ky dënim ridëshmon përgjegjësinë politike të Sheshelit dhe të Serbisë shtetërore në krimet kundër njerëzimit dhe në spastrimet etnike në Ish-Jugosllavi.

Ymeri përmes një postimi në Fcebook, ka thënë se paramilitarët çetnikë të Sheshelit me njësitet e tjera fashiste të së djathtës ekstreme të Serbisë ishin herë pjesë përbërëse dhe herë partnere të policisë dhe ushtrisë zyrtare serbe edhe për krimet, pastrimet dhe dëbimet në Kosovë.

Postimi i plotë i Ymerit
“Shesheli të dënohet edhe për krimet në Kosovë
Dënimi i Vojislav Sheshelit nga Tribunali i Hagës është një lajm i mirë për viktimat, por i pamjaftueshëm. Ky dënim ridëshmon përgjegjësinë e tij politike dhe të Serbisë shtetërore, në krimet kundër njerëzimit dhe në spastrimet etnike, në Ish-Jugosllavi. Paramilitarët çetnikë të Sheshelit me njësitet e tjera fashiste të së djathtës ekstreme të Serbisë ishin herë pjesë përbërëse dhe herë partnere të policisë dhe ushtrisë zyrtare serbe edhe për krimet, pastrimet dhe dëbimet në Kosovë; e jo vetëm në Kroaci, Bosnje dhe Vojvodinë. Shesheli dhe frymëzuesit, urdhënësit dhe kryerësit e krimeve kundër njerëzimit në hapësirat ish-jugosllave nga Serbia duhen të dënohen para së gjithash nga gjyqësori serb. Përballja me të kaluarën e Serbisë mbetet nevojë dhe domosdoshmëri. E vonuar, kjo përballje do ta mundësonte pajtimin e nevojshëm dhe bashkëpunimin e domosdoshëm rajonal”, ka shkruar Ymeri.

Gjykata e OKB-së në Hagë hodhi poshtë sot lirimin e plotë të kreut të Partisë Radikale Serbe Vojislav Sheshelj në apel dhe e burgosi ​​atë për 10 vjet për krime lufte në Serbi.

Tribunali Ndërkombëtar në Hagë të mërkurën dënoi Vojislav Sheshelj me dhjetë vjet burg për nxitje të krimeve në Vojvodinë në Serbi gjatë luftës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: