Buxhet të kontrolluar për vitet elektorale, ulje të borxhit publik deri në 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vit pas viti, shpenzime të limituara edhe për dy vitet e ardhshme, janë ndryshimet kryesore në ligjin për buxhetin e shtetit që ka mbërritur në Kuvend. “Kontrolli i shpenzimeve në vitet kur ka zgjedhje: Ky përcaktim synon të rregullojë deficitin në vitet kur ka zgjedhje për pushtetin qendror dhe të eliminojë rastet e përshpejtimit të shpenzimeve dhe mosangazhimit të duhur në realizimin e të ardhurave buxhetore”, thuhet në relacionin që shoqëron propozimin për ndryshimet ligjore. Një tjetër përcaktim është buxhetimi 3-vjeçar.

“Projektligji parashikon miratimin e tavaneve të shpenzimeve buxhetore edhe për dy vitet e ardhshme, së bashku me ligjin vjetor. Kjo procedurë, e cila është realizuar tashmë që në ligjin e buxhetit 2015, është e domosdoshme të ketë një bazë rregullatore ligjore. Ajo do ndikojë në rritjen e parashikueshmërisë dhe cilësisë së buxhetit, duke shërbyer si mekanizëm për kontrollin e angazhimeve buxhetore shumëvjeçare.

Kontrolli i angazhimeve shumëvjeçare – Buxheti tre-vjeçar, miratuar në Kuvend, siguron bazën për kontrollin e angazhimeve shumëvjeçare, por ndërkohë drafti parashikon për këtë qëllim edhe rregullat për kontrollin e tyre, nëpërmjet regjistrimit në sistemin informatik financiar të qeverisë, si dhe miratimin paraprak nga dega e thesarit, përpara zhvillimit të çdo procedure prokurimi”, thuhet në relacionin që shoqëron ndryshimet dhe shtesat në ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.

“Në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët sesa niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45% të Produktit të Brendshëm Bruto”, thuhet në nenin 4 të ndryshimeve, ku përcaktohen parimet dhe rregullat e reja fiskale. RELACIONI Gjatë vitit 2015 dhe fillimit të vitit 2016, Ministria e Financave ndërmori procesin e rishikimit të ligjit organik të buxhetit (LOB), ndryshe ligji nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.

Për këtë qëllim, në Ministrinë e Financave u ngrit një grup pune i asistuar nga konsulentë të FMN-së, BB-së dhe OECD-së, ndaj përmirësimet dhe ndryshimet e propozuara për t’u reflektuar në ligjin e ri organik të buxhetit, janë koordinuar dhe konsultuar intensivisht mes grupit të punës së Ministrisë së Financave, ngritur për këtë qëllim, dhe konsulentëve të huaj në fjalë, kontributet e të cilëve janë gjithashtu të reflektuara në këtë draft.

Për rrjedhojë, shumë nga përcaktimet e këtij drafti janë mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe janë pjesë e detyrimeve të ndërmarra nga qeveria në disa dokumente e marrëveshje të rëndësishme, të tilla si: Strategjia e Financave Publike, marrëveshja me BE-në, marrëveshja me FMN-në etj. Amendimet legjislative, të përfshira në draftin që po paraqesim për miratim, përfshijnë një sërë shtesash, përmirësimesh dhe riformulimesh, të cilat synojnë harmonizimin e këtij ligji me ligje të tjera të miratuara rishtazi, si dhe azhornimin e tij me zhvillimet e reja në fushën e menaxhimit të financave publike, të ndodhura që prej miratimit të tij në vitin 2008.

Nevoja për ndërhyrje në LOB u kushtëzua nga: zbatimi në praktikë, i cili evidentoi nevojën për ndryshime të ligjit ekzistues, që prej miratimit të tij në vitin 2008; krijimi i detyrimeve të prapambetura, që u vërtetua si një pikë e dobët e sistemit tonë buxhetor; strategjia e menaxhimit të financave publike, e cila përmban disa detyrime të cilat duhet të reflektohen gjithashtu në ligjin e ri; harmonizimi i bazës ligjore, i cili nënkupton edhe domosdoshmërinë e përputhshmërisë me ligjet e tjera të financave publike (të ndryshuara se fundmi), si p.sh.: ligji për menaxhimin financiar dhe kontrollin, ligji i auditit të brendshëm, ligji për inspektimin financiar dhe ligji për borxhin publik).

(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: