Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Ndonëse dhjetëra të dënuar i janë drejtuar drejtorisë së burgut, ku vuajnë dënimet e drejtësisë për të përfituar leje shpërblyese apo të veçanta, me qëllim që festat e fundvitit t’i kalojnë pranë familjeve të tyre, shumë pak prej tyre do ta kenë këtë mundësi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka miratuar vetëm 40 leje për të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, ashtu sikurse ishte planifikuar për muajin dhjetor 2014. Në kohën kur në burgjet shqiptare ndodhen të izoluar afër 4 mijë persona, numri të dënuarve që do të shijojnë në liri orët e fundit të 2014 e ato të fillimvitit 2015 është shumë i paktë. “Kemi miratuar vetëm lejet e planifikuara përgjatë vitit, sipas grafikut”, tha një zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve. Gjithsesi, zyrtarë të burgjeve thanë se edhe këto ditë të fundit të 2014 do shqyrtojnë me shumë seriozitet çdo kërkesë që vjen nga të dënuarit.
Lejet e fundvitit
Në kohën kur nga institucioni i Presidentit të Republikës nuk ka ende asnjë sinjal për falje për të dënuarit me rastin e festave të fundvitit, të izoluarve përtej hekurave u ka mbetur si mundësi e vetme përfitimi i një leje shpërblyese, që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë pranë të dashurve të tyre. Por, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka qenë shumë bujare me të dënuarit, pasi vetëm për 40 prej tyre ka miratuar lejet shpërblyese. Ata që do dalin nga qelitë më 31 dhjetor dhe do të kthehen sërish në burg nuk janë të dënuar për krime të rënda dhe paraprakisht, Drejtoria e Burgjeve konfirmon se për të vënë firmën e miratimin, kanë shqyrtuar me shumë kujdes dokumentacionin për secilin rast. Nga të dhënat paraprake rezulton se nga burgu i Lezhës pritet të përfitojnë leje shpërblyese 10 të dënuar, nga Fushë-Kruja 4, nga Rrogozhina 4 dhe po kaq nga burgu i Lushnjës, në mesin e përfituesve janë edhe tri gra.
Incidentet
Incidentet e ndodhura më herët, kur ka pasur raste, kur të dënuarit duke shfrytëzuar lejet shpërblyese nuk janë kthyer më në burg, kanë detyruar zyrtarët e DPB-së që të jenë “dorështrënguar” në miratimin e lejeve shpërblyese. “Nuk duam që të tilla incidente të ndodhin sërish. Ndaj për këtë shkak kemi miratuar vetëm lejet e parashikuara sipas grafikëve. Megjithatë, duhet të theksojmë se tensionet në burgje ulen ndjeshëm kur të dënuarit përfitojnë nga lejet e sidomos në prag festash”, theksoi një zyrtar. Zyrtarisht Drejtoria e Burgjeve tha se çdo kërkesë është trajtuar, edhe pse fluksi i tyre ka qenë i lartë, ashtu sikurse ndodh në fakt çdo fundvit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: