Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka uruar sot nisjen e vitit të ri shkollor për nxënësit dhe mësuesit.

Në një deklaratë për mediat ajo ka renditur edhe problemet me ë cilat përballet sot arsimi në Shqipëri.

Xhixho shprehet se sot më pak nxënës janë ulur në bankat e shkollave, ndërsa shtoi se në 10 vitet e fundit ka pasur një bilanc tragjik me qindra shkolla të mbyllura në të gjithë vendin.

Deklarata e plotë:
Të dashur nxënës, mësues e prindër!
Dua ta nis këtë komunikim me ju me një urim për një vit të mbarë shkollor. Suksese atyre që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, atyre që rikthehen në një klasë më lart, dhe maturantëve që mbyllin në fund të këtij viti ciklin e studimeve parauniversitare.
Suksese në punën e tyre mijëra mësuesve në të gjitha shkollat e vendit, shumë prej të cilëve udhëtojnë, edhe me orë për të përcjellë dijen te brezi i ri. Urime për prindërit dhe vlerësim për sakrificat e tyre në arsimimin e fëmijëve në një vend ku infrastruktura arsimore lë shumë për të dëshiruar e boshllëqet që lë sistemi kthehen në sfidë për edukimin e brezit të ri.
Por përtej propagandës të dalë boje, ky vit shkollor nis me tkurrje të numrit të nxënësve dhe me një bilanc alarmant me 295 shkolla të mbyllura në 10 vite qeverisje nga Rilindja. Në të gjithë vendin, ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës 28 mijë fëmijë, 1 mijë më pak se një vit më parë.
Emigrimi masiv, ulja e numrit të lindjeve si pasojë e kostos së lartë të jetesës dhe mungesa e sigurisë ekonomike e ka reduktuar me rreth 40% numrin e nxënësve në shkollat e vendit. Sot kemi 125 mijë nxënës më pak se 10 vite më parë.
Vetëm në Korçë janë 6 shkolla të mbyllura për shkak të shpopullimit masiv të fshatrave.
Flasin për shkolla të reja por asnjë prej tyre nuk ka standarde as sa Kosova që po ndërton një sistem arsimor për gjithë ditën për fëmijët, që të bëjnë detyrat në shkollë, që të hanë drekën në shkollë dhe të zhvillojnë aktivitete sportive e sociale duke i ndihmuar edhe prindërit për të vazhduar punën deri pasdite.
Ndërkohë prindërit në vendin tone, ku fëmijët mbarojnë shkollën në 11.30, janë në ankth se ku do t’i çojnë fëmijët pas shkolle, kush do kujdeset për ta dhe përfundojnë duke i çuar në after school me një kosto shtesë 200-250 euro në muaj.
Këtë vit përsëri mungojnë pesë shkollat e premtuara për fëmijët e Astirit e Kasharit, një zonë me mbi 70 mijë banorë, apo edhe te zona e Liqenit, të cilët edhe këtë vit shkollor do të jenë të detyruar të udhëtojnë drejt qendrës së Tiranës çdo ditë, duke u kushtuar kohë dhe para prindërve, duke mbingarkuar shkollat e tjera dhe stafet e tyre pedagogjike e duke dëmtuar kështu procesin e mësimdhënies e mësimnxënies!
Në Tiranë 80% e fëmijëve në moshë çerdhje dhe kopshi nuk gjejnë dot një vend në strukturat publike, ndaj për këtë arsye mbeten të detyruar të shkojnë në privat duke shtruar ndjeshëm koston e tyre. Kjo pasi sistemi publik mund të përballojë vetëm 20% të nevojave, ose vetëm 1 në 5 vogëlushë mund të gjejnë akomodim në sistemin publik.
Tirana është kthyer në qendër të pastrimit të parave të pista, ku vend për kulla ka, por për kopshe, çerdhe e shkolla nuk ka hapësirë, dhe ku tashmë qytetarët e Tiranës do paguajnë qera deri 9 mijë euro në muaj për godinat e kopsheve e çerdheve. Qytetarët e Tiranës kanë paguar në 8 vjet plot 66.1 million euro taksë arsimi, dhe sot fëmijët e tyre nuk kanë vend në kopësht, e mësojnë në shkolla me turne.
Ndërsa foli sot për shkolla të reja, Ogerta Manastirliu harroi të flasë për mijëra nxënës të Tiranës që mësojnë me turne edhe këtë vit shkollor duke mos zgjidhur ende këtë makth për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Gjithashtu prindërit dhe nxënësit edhe këtë vit u përballën me mashtrimin e Edi Ramës për tekstet falas. Pasi të gjithë e panë që janë libra të vjetër e të papërdorshëm që detyrojnë mijëra prindër të blejnë nga e para tekstet e reja. 9 milionë eurot që qeveria pretendon se ka akorduar për tekste falas kanë shkuar në xhepat e atyre që arsimin nuk e kanë pasur prioritet një ditë të vetme, sepse librat që marrin nxënësit janë në pjesën dërrmuese të dëmtuar në atë masë sa nuk mund të përdoren më.
Laboratorët SMART janë një tjetër mashtrim. Ndërsa shumica e shkollave nuk kanë internet, e nuk do të kenë as ngrohje në stinën e ftohtë, nuk kanë as laboratorë fizike apo kimie, për të mos mësuar çdo gjë në teori. Propagandë boshe për të mbuluar dështimin e plotë!
Harruan sot të flasin për braktisjen masive të shkollës edhe nga mësuesit dhe rrezikun e mbetjes së shkollave pa mësues brenda pak vitesh. Kemi një tkurrje me 33%, që do të thellohet për shkak të braktisjes së degëve të mësuesisë nga studentët.
Por pasqyra ku Ministria e Arsimit duhet të shohë dështimin real është të politikave arsimore është testi i fundit i Piza, ku renditemi në vendin 69 nga 80 vende, një renditje që certifikoi se ne nuk nxjerrim nxënës të aftë të përballojnë tregun e punës, por nxjerrim nga shkollat tona analfabetë funksionalë.
Arsimi sot ka buxhetin më të ulët në rajon, sepse Arsimi nuk ka qenë kurrë prioritet për Edi Ramën dhe bandën që drejton, por për të kanë qenë prioritet inceneratorët, mafia e plehrave, PPP., dhe konçensionet.
Të dashur nxënës, mësues e prindër,
Për Partinë e Lirisë, Arsimi është në qendër të planit tonë me pesë prioritete.
Ne do të dyfishojmë buxhetin për arsimin, kërkimin shkencor dhe inovacionin. Niveli i buxhetimit do të jetë 5% e PBB.
Reformimi i thellë i kurrikulave do të bëhet nga ekspertë të fushës, larg çdo pazari apo ndikimi politik.
Mësuesia do të konsiderohet degë prioritare dhe do të shoqërohet me mbështetje financiare për studentët dhe mësuesit. Do të trajtohen me investime prioritare, degët e teknologjisë dhe informacionit.
Ne do ta kthejmë sistemin arsimor në një arenë ku edukohen dhe stërviten qytetarë të angazhuar, me njohuri të plota për shtetin ligjor dhe demokracinë.
Ne do ta bëjmë shkollën institucionin që formon qytetarë që mendojnë në mënyrë kritike, që janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe i mbrojnë ato me çdo mjet demokratik, përballë padrejtësisë. Vetëm duke ringritur arsimin, ne mund të ringremë Shqipërinë.
Faleminderit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb