Prej së enjtes së kaluar, kur kryeministri Rama i përmendi ish-kryeministrit Berisha se nuk mund të kaloj Atlantikun, që nënkuptonte mosmarrjen e vizës Amerikane, përgjigja e Berishës as mish as peshk tregonte pasiguri. Më pas kemi prononcimin e Ambasadës Amerikane që nuk i lejon hyrjen në Amerikë 170 personave zyrtarë të lartë, deputetë, prokurorë dhe gjygjtarë.

Zeri Amerikës njofton se sipas Transparency International Shqipëria ka zbritur shkallë në rritjen e korrupsionit duke rënë në vendin e 99-të duke shoqëruar Bahrainin, Kolumbinë, Tanzaninë, Timorin, Etiopië. Kosova dhe Maqedonia janë disa shkallë me lart, pra më me pak korrupsion se Shqiperia, por dhe këto hyjnë ne pellgun e vendeve me korrupsion te larte dhe lidhje të politikës me krimin e organizuar.

Në replikat mes Ramës dhe Berishës, ajo që duhej kapur dhe “justifikuar” nivelin e ulët të replikave në cështje personale, ishte pra frika që kishin të dy në gjërat që i dinin më mire se kushdo njëri-tjetrit dhe presioni që i bëjnë njëri-tjetrit me materiale shtrënguese, jo për të vendosur drejtësi, por për t’u dakordësuar për mosndëshkueshmëri duke i bashkuar krimi-që pjell vetëm krim dhe aspak një shtet të së drejtës dhe një rend juridik në funksion të së drejtës.

Sipas disa burimeve, Rama ka pasur një të dhënë nga partnerët për ndoshta moslejimin e Berishës në Amerikë. Kjo është krejt normale për një kryeminister dhe mundësinë e informacioneve që ka kryeministri.

Ajo që nuk duhet të bëntë dhe nuk është e pranueshme për një politikan dhe aq më keq kryeministër, është se nuk duhet ta zbulonte informacionin e partnerit në publik dhe në parlament si shpërdorim konfidencial dhe si mosbesueshmëri për here tjetër apo humbje pikësh në sy të burimit, sepse mund të ketë djegur një skemë të partnerit.

Përgjigja e Berishës, ku padyshim edhe Ai ka burimet e tij, ishte evazive, jo e sigurtë, një as po as jo. Përndryshe Berisha, duhet të shkonte ne Ambasadën Amerikane dhe të kërkonte vizën dhe t’ia përplaste Ramas në seancën e ardhshme parlamentare në sy. Berisha nuk e luan këtë bllof se nuk është i sigurt a e ka A-sin në dorë Ajo që është me interes dhe njokohësisht e “pakuptueshme për t’u kuptuar”, është qëndrimi i dyfishtë që mban Departmenti i Shtetit nëpërmjet Ambasadës Amerikane për persona me çeshtje të ngjashme në lidhje me njerëz të korruptuar apo lidhur me krimin e organizuar me trafiqe të ndryshme.

Nga 170 personave që ka ndaluar Ambasada Amerikane sipas indicieve për korrupsion apo lidhje me krimin, vetëm 16 janë denuar nga drejtesia shqiptare, të tjerët vazhdojnë në funksionet shtetërore, parlamentare, partiake, administrative, të cilët nuk janë 170, por 1700 apo dhe 17 mijë.

Ne drejtësi shkruhet dhe aplikohet prezumimi i pafajësisë deri sa të provohet fajësia. Në rastin konkret Ambasada Amerikane në bazë të dhënave që ka me burimet e saj, ka të gjithë të drejtën për të mos lejuar hyrjen e këtyre personave në Amerikë, pasi, nuk është në tagrin e saj juridik dhe shtetëror provimi i fajësisë për krimin e kryer në territorin e Shqipërise apo dhe në trafiqet me Europën. Këtë duhet ta bëjë drejtësia shqiptare, e cila është pjesë e korrupsionit në lënien e lirë të krimit për pagesat e majme dhe jetën e luksit dhe pasuritë e pajustifikueshme që kanë prokurorët dhe gjyqtarët. Pra drejtësia e padrejtësisë duhet të jetë vetë në bankën e të akuzuarve.

Teknikisht ata të 170 zyrtarë, Ambasada Amerikane i ka ndaluar në bazë të indicieve apo të dhënave që ka ajo nëpërmjet burimeve nga agjensitë përkatëse. Si shpjegohet që nuk mbahet i njëjti qëndrim po për të njëjtin “krim” në bazë të indicieve apo akuzave, apo dhe fakteve të diskualifikuara nga mbarimi afateve?! Kemi rastin sëfundi, për mos shkuar në histori duke filluar me njerëzit e nomenklaturës komuniste që kanë ardhur në Amerikë me Green Card dhe janë dhe nënshtetas në një kohë që kur mbushen formularët nje nga pyetjet është: A ke qenë anëtar i Partisë Komuniste?

Le të vijmë tek kjo e fundit, pra vizitat e fundit në Amerikë të Damian Gjiknurit dhe Fatmir Mediut. Si ka mundësi që në një kohë që plas një skandal i madh për falsifikim të një firme për kompaninë DH Albania, ku denoncimi bëhet nga VOA dhe është i përfshirë ministri Damian Gjiknuri duke shkelur dhe ligjet amerikane me falsifikimin e firmës, lejohet të vijë në Amerikë sëbashku me Fatmir Mediun, i cili ka indicie të forta prej vitesh për korrupsion, probleme me drejtësinë italiane shumë vite më pare, por mbi të gjitha ka një Gëdrdec që nuk mund të fshihet, se kur ndodhi CNN, FOX, MSNBC e të gjithë kanalet botërore bëne Breaking News, miliona dollarë dëm dhe jetë të humbura nga një korrupsion shtetëror kriminal me trafiqe armësh me lidhje në Amerikë. A mos vazhdojnë këto lidhje me paratë e trafikut?

Përse ky stadard i dyfishtë nga Ambasada për këta persona dhe të tjerë?

Para drejtësisë, jo shqiptare, por asaj amerikane në të cilën unë besoj, jemi të gjithë njësoj dhe duhet të jenë të gjithë njësoj.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e pandëshkuar./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb