TIRANE- Vizita e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry, do të shoqërohet me një sërë masash të ndërmarra nga policia shqiptare, për të garantuar siguri. Për mbarëvajtjen e kësaj vizite 3-orëshe ditën e nesërme, parashikohet bllokimi i disa rrugëve në kryeqytet.


Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato bëri të ditura masat e sigurisë që do të merren nesër me rastin e vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.


Qato sqaroi se: “Për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës Policia e Shtetit po koordinon masat edhe me agjenci të tjera inteligjente dhe SHISH, ndërsa do të angazhojë 1548 forca policore”.


Sipas tij për mbarëvajtjen e kësaj vizite do të patrullojë në ajër edhe një helikopter i Ushtrisë. Qato kërkoi më tej mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e rrugës së Rinasit dhe akseve të tjera ku do të kalojë eskorta e Sekretarit Amerikan.

funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike janë angazhuar 1548 punonjës policie nga strukturat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të rendit publik, Antiterrorit, Policisë Rrugore , të Forcave Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë. Po kështu për kontrollin nga ajri do të patrullojë një helikopter i Forcave të Armatosura më një grup të Forcave Speciale të Ushtrisë”.

Sipas tij, policia do të bllokojë disa rrugë për mjetet dhe këmbësorët, ndërsa në raste urgjencash në rrugët që do të bllokohen, mjetet do të shoqërohen nga policia deri në qendrën shëndetësore më të afërt.

“Në këtë kuadër, para, gjatë dhe deri në përfundim të kësaj vizite, Strukturat e Policisë së Shtetit, kanë marrë të gjitha masat për kontrollin e plotë të territorit, parandalimin e veprimtarisë kriminale, rritjen e sigurisë në akset rrugore dhe në Objektet e Rëndësishme Shtetërore, si dhe në vendet e ambientet ku do zhvillohen aktivitetet e kësaj vizite, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, tha Qato.

Për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së Sekretarit Kerry, vijoi Qato, strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë dhe koordinojnë masat edhe me institucionet e tjera të sigurisë në vendin tonë si; Shërbimin Informativ Shtetëror, Agjencinë Inteligjente të Mbrojtjes dhe me Gardën e Republikës.

Ai bëri të ditur se janë parashikuar kufizime të qarkullimit të mjeteve në aksin rrugor kryesor Rinas – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në disa akse rrugore të qytetit të Tiranës që lidhen këtë aks rrugor.

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Qato kërkoi mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, si dhe të subjekteve të linjave të shërbimit publik të transportit, kryesisht ato që përdorin rrugët në pjesën veriperëndimore të qytetit të Tiranës që të shmangin lëvizjet në akset ku do ketë kufizime të qarkullimit.

Për rastet e urgjencave apo raste të tjera të emergjencave që kërkohen nga qytetarët, shërbimet e Policisë Rrugore do të bëjnë shoqërimin e mjeteve pranë qendrave më të afërta shëndetësore.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, viziton nesër, me 14 shkurt, Shqipërinë, ku do të pritet nga autoritetet më të larta të vendit. Në fokus të takimeve pritet të jenë marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe integrimi euro-atlantik i vendit.

Në lidhje me masat për vizitën e Kerryt Çako e Hodaj kanë zhvilluar edhe një takim në ambasadën e SHBA.

JA RRUGET QE BLLOKOHEN
Që prej mbërritjes në Aeroportin e Rinasit rreth orës 9 të mëngjesit, ku do të pritet nga kreu i shtetit Bujar Nishani, disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të bllokohen deri në përfundimin e vizitës.

Sipas policisë, duke nisur nga Qafë-Kashari, e në vijim pjesa e autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bllokohen plotësisht për mjetet dhe për këmbësorët.

Në këto akse rrugore nuk do të lejohet parkimi i makinave.

Sipas policisë, gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan do të devijohet trafiku edhe për mjetet e transportit publik. Akset rrugore do të patrullohen në të dyja krahët nga efektivë të Policisë së Tiranës dhe Gardës së Republikës.

Për vizitën e Kerryt, po vijohet me punën për hartimin e planit të detajuar të masave, ndërsa Policia e Shtetit sqaron se ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar sigurinë e Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Në deklaratën për shtyp thuhet se “nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë janë marrë masa në bllokimin e disa segmenteve rrugore kryesore si më poshtë:.
• Aksi rrugor nga Aeroporti Rinasit “Nënë Tereza” – mbikalimi i Kasharit.
• Aksi rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi i Kamzës, në të dyja krahët e autostradës, si dhe rrugët dytësore paralel me to.
• Aksi rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga “Dritan Hoxha” – Rruga e “Durrësit” .
• Aksi rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, si dhe rrugët lidhëse me to.
• Aksi rrugor nga Rruga “Teodor Keko” – Fabrika e Bukës – Bulevardi “Bajram Curri”, nga ura Teknologjike – Ura e Kualidimit – Ura e Drejtorisë Tiranë – Ura e Dajtit deri te ura e Rrugës së Elbasanit.
• Aksi rrugor Bulevardi Zogu i Parë nga Ministria e Drejtësisë deri tek Sheshi Skënderbej.
Gjithashtu njoftohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që do devijohet aksi rrugor i kamzës deri tek shinat e trenit.

Gjithashtu, policia njofton se nuk do të lejohen parkimet e mjeteve duke filluar nga Sheshi Shqiponja deri te rruga Elbasanit si dhe nuk do të lejohet parkimi prapa Muzeut.

“Në rast të mos largimit të mjeteve njoftojmë se do të ngrihen me sherbim te mjeteve ngritese.
Subjektet e linjave të shërbimit publik që operojnë në linjat brenda qytetit të Tiranës, dhe linjave të transportit udhëtarëve ndërqytetëse, kryesisht ato që përdorin rrugët në pjesën veriperëndimore të qytetit të Tiranës, nuk do të lejohet qarkullimi i këtyre mjeteve në këto pjesë të rrugës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në rastet e urgjencave apo raste të tjera të emergjencave që kërkohen nga qytetarë, shërbimet e Policisë Rrugore do të bëjnë shoqërimin e mjeteve pranë qëndrave më të afërta shëndetësore.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, që në këtë ditë nga ora 07:00 deri në orën 15:00, të shmangin qarkullimin me mjet në këto akse rrugore.
(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Etiketa: