Në vizitën e dytë brenda një muaji të kryeministrit Rama, Serbia ngre një njësi të posaçme “antidron” para samitit Kinë-Ballkan.

Në samitin e Beogradit mes vendeve të Europës Juglindore dhe Kinës, me datën 16 dhjetor përveç forcave normale të sigurisë, do të ketë edhe një njësi anti-dron, të krijuar së fundmi nga policia serbe. Duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura në stadiumin e Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri, autoritetet serbe duan të sigurohen që nuk do të ketë më përsëritje të dronit fluturues, aq më pak me flamurin shqiptar. Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja serbe “Kurir”, e cila raporton se të hënën, një ditë para nisjes së samitit të Beogradit, njësia do të kryejë “provën gjenerale”.

Gjatë samitit dyditor, një helikopter i policisë serbe do të qëndrojë në gatishmëri për të monitoruar hapësirën ajrore, ndërkohë që në tokë, njësia antiterror do të sigurojë mbarë-vajtjen e aktivitetit. Nëse pikaset ndonjë dron, oficerët janë udhëzuar gjithsesi të mos e qëllojnë, por helikopteri në gjendje gatishmërie do të njoftohet menjëherë dhe do ta neutralizojë. Në total rreth 7000 forca policie do të sigurojnë samitin e Beogradit, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Rama, të ndihmuar edhe nga agjentët e shërbimit kinez të sigurisë. Madje, në hotelet ku do të qëndrojnë të ftuarit flitet se mund të ketë më tepër personel sigurie se sa staf.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb