TIRANË- Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli duke folur nga foltorja e parlamentit për vizitën e kancelares Merkel në Tiranë, kritikoi kryeministrin Edi Rama për organizimin, duke përmendur fasadën në hyrje të kryeministrisë, kërpudhën në oborrin e kryeministrisë, insektet në mure etj. Duke ironizuar ish-kryeparlamentarja tha “Kryeministri na nderoi” ndërsa e cilësoi Ramën servil.

“Merkel vizitoi Ballkanin duke filluar nga Shqipëria si vend i NATO-s. Kryeministri na nderoi. Kryeministrisë, i vuri një strehë të kapur me tela të trashë për fasadë, si ato të shtëpisë. Natyrisht pa leje, në kundërshtim me ligjin. Kush thotë që shteti ynë nuk është serioz? Rama harxhoi ditë të tëra dhe nxori kërpudhën. Pastaj i tregoi zyrën, murin me insekte që rrethonte Ismail Qemalin. Nuk pashë aty breshkën. Në një sjellje që duket gati servile i tregoi barsoletën e përjetimit të shqiptarëve kur gjermanët bëjnë gol.Për ta mbyllur lideri porositi pyetjen, por Merkel i tha se lider është demokraci”, tha Topalli.

Deputetja shtoi se edhe ku masat për vizitën e Merkel ishin të larta, pati një grabitje në Durrës. Ajo u ndal tek deklaratat e Merkel per sigurinë ligjore për investitorët. “Edhe dje kur masat për vizitën e Merkel ishin shumë të larta, u grabit një bankë në Durrës. Hendeku mes një pakice të pasurish dhe shumicës së papunë është një minë me sahat. Ju nuk mund të vazhdoni të hani kek mbi një vend që po ikën në eksod. Zonja kishte të drejtë kur tha se nuk ka garanci ligjore për biznesin gjerman. Ju nuk qëndruat në nivelin e premtimeve tuaja ndaj nuk hiqni dot maskën. Për çfarë duan të mbahen mend dy njerëz: kryeministri dhe kryetari i Kuvendit? Do mbahesh mend si kryebashkiaku i betonit, si kryeministri që krijoi parlamentin e bosëve të trafiqeve, për tritolet apo pasigurinë?”, tha Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit u shpreh se pas kësaj situate ku është vendi, shqiptarët duhet të bëjnë një analizë dhe jo të besojnë çfarë thotë qeveria. Ajo i vlerësoi shqiptarët si njerëz sipërfaqësorë që e besojnë edhe kur u thuhet ‘fluturon gomari’. “Kjo kërkon edhe një analizë për ne shqiptarët. Ndoshta kombi ynë do kish sot një faqe tjetër, po qe se populli do ti gërmonte gjërat pak më shumë. Ne jemi njerëz pak sipërfaqësorë dhe nuk hyjmë thellë. Kurdoherë në çdo kohë dhe çdo rast shqiptarët janë gënjyer sa prej vëllezërve të tij, aq edhe prej të huajve. Ajo që na shquan ne që pësimet nuk na bëhen mësime. Me këtë mentalitet nuk mund të bëhemi kurrë një shtet serioz sa kohë që na thonë ‘fluturon gomari’ dhe ne e besojmë”, deklaroi Topalli.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: