Ambasada britanike në Tiranë ka bërë një postim në rrjetet sociale lidhur me vizitën zyrtare të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali në Londër dhe takimet e zhvilluara atje. Ambasada thekson se gjatë kësaj vizite të Spiropalit dhe delegacionit që e shoqëron janë zhvilluar bisedime të rëndësishme me Kryetarin e Dhomës së Komunave, Sir Lindsay Hoyle. Gjithashtu, ambasada vlerëson pjesëmarrjen e delegacionit në seancën ku ishte në pyetje kryeministri britanik, Keir Starmer por edhe takimin me Grupin Ndërparlamentar për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Gjatë diskutimeve produktive, të dyja palët ranë dakord për vlerën e partneritetit Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri, përfshirë nivelin parlamentar, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së praktikave më të mira demokratike gjatë zgjedhjeve të ardhshme”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike në vendin tonë.
Postimi i Ambasadës Britanike në Tiranë
Dje, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, dhe delegacioni i saj vizituan Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar për bisedime të rëndësishme me Kryetarin e Dhomës së Komunave, Sir Lindsay Hoyle MP. Ky shkëmbim parlamentar përfshiu disa momente kyçe, si pjesëmarrja e delegacionit në Pyetjet për Kryeministrin dhe takimet me Grupin Ndërparlamentar për Shqipërinë dhe Kosovën. Gjatë diskutimeve produktive, të dyja palët ranë dakord për vlerën e partneritetit Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri, përfshirë nivelin parlamentar, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së praktikave më të mira demokratike gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Mbretëria e Bashkuar mbetet e angazhuar për të punuar me Parlamentin Shqiptar për të mbështetur rrugëtimin demokratik të vendit dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve të mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme.
(BalkanWeb)