Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe mbrëmjen e kësaj të shtune vizitat e befasishme në shtabet elektorale të PS në kryeqytet. Kreu i qeverisë, i shoqëruar nga drejtuesja politike e Qarkut të Tiranës, njëkohësisht ministrja Ogerta Manastirliu, zhvilluan një takim me shtabin elektoral te Njësia 14.

Kryesocialisti u njoh me punën e bërë nga strukturat, takimet në terren me qytetarët dhe simpatizantët.

Kjo zonë e kryeqytetit, tha Rama, ka nevojë për ndërhyrje dhe investime, ndërsa dha lajmin se do të hiqen taksat për ndërtuesit e parkimeve.

“Kjo zonë ka nevojë shumë për ndërhyrje. Janë bërë shumë ndërtime dhe ka nevojë për ndërhyrje insfrastrukturore. Edhe për shërbime publike. Kjo e takimeve vlen, një program i kombinuar edhe nëpërmjet bashkisë. Duhet lehtësuar kjo çështja e trafikut të makinave se është vërtetë e rënduar. Në pjesë të caktuara të Tiranës ka probleme edhe me parkimin dysh. Do heqim fare taksën e ndërtimit të parkimit. Sepse taksimi është bërë njëlloj për ndërtimin e parkimit, apartamentit, dyqanit. Nëse e heqim taksën e parkimit, e do ta bëjmë, do ketë koston e vetë, por s’do ketë ekstra dhe kështu do bëjë më shumë parkime. Do ta zgjidhim edhe këtë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë ironizoi sërish Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, me këtë të fundit që edhe ka patur një shkëmbim intensiv mesazhesh në distancë.

“Ore, po ky Luli ka ndonjë deputet këtu? Duhet të ketë ndonjë, apo ka nga ata që nuk njihen! Po vota a ka? Më bën shumë përshtypje, po e ka shumë frikë bufin. E ka frikë, jo jep e merr, doktori thotë, bufi etj., ma lë mua, për referencë, se ka frikë nga bufi!”, vijoi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb