PRISHTINE- Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në konferencën e përbashkët me Presidentin Hashim Thaci tregoi arsyet pse dëshiron të kthehet gjithnjë në Kosovë, por ka lëshuar edhe mesazhe politike.

“Po e shihja fotografinë e Rugovës dhe më kthehet kujtimi për të. Njerëzit në Amerikë më pyesin se pse vij sërish e sërish në Kosovë? Kjo është se sa herë që vij, kthehem më i gjallërishëm dhe me shpresë, se e shoh se dekadat dhe shekujt e armiqësisë mund të tejkalohen. Do të largohem nga ky vend sot pasdite, me një shpresë të rimëkëmbur. Ju po më bëni që të ndjehem si hero”.

Ai tha se kjo vizitë ka domethënie të veçantë për familjen e tij dhe pikërisht për këtë ka marrë me vete edhe nipin dhe mbesën në mënyrë qa shohin Kosovën, ta shijojnë dhe ndjejnë.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, foli edhe për djalin e tij, emrin e te cilit do ta mbajë një rrugë në Sojevë të Ferizajt. Biden tha se djali i tij kishte besim të thellë tek Kosova e pavarur edhe pse këtu kishte qenë në një kohë të vështirë. “Nganjëherë është mirë t’i dëgjosh bijtë e tu….E ka kuptuar sa e rëndësishme do të bëhej Kosova për rajonin”.

“Për shkak të bujarisë suaj do të jem në një ceremoni për emërimin e një rruge të Bondsteel me emrin e djalit tim. Ju falënderoj për këtë respekt për familjen Biden”.

Sipas Biden, Kosova ndodhet para disa vendimeve të vështira, por sfidat duhet të tejkalohen. Ai tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë vendim i vështirë, por i domosdoshëm dhe punë që duhet të kryhet. Zëvendëspresidenti Biden shtoi se Kosova duhet t’i përmbahet zotimeve të bëra në Bruksel dhe këto janë kushte që duhet të përmbushen për t’u integruar në Evropë, ndërkaq potencoi se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Kosovës.

Duke u bazuar në fjalën e Thaçit për demarkacionin, Biden theksoi se është e rëndësishme që Kosova të jetë e përkushtuar në këtë çështje.

“E dimë që është dashur të shtyhen disa reforma, por janë vendimet e zorshme që sjellin fryte. E dimë që dhimbjet e luftës janë ende të freskëta por e vetmja mënyrë për Kosovën është një e ardhme e përbashkët”.

“Largoni zyrtarët e dënuar nga detyrat e shërbimit publik. Korrupsioni është kancer për çdo shoqëri, nëse nuk trajtohet këtë atëherë zhvillimi i vendit nuk do të jetë i mundshëm”, tha Biden me tej.

THACI: PA DEMARKACIONIN DHE ASOCIACIONIN, KOSOVA DO TË JETË E IZOLUAR DHE E LËNË ANASH
Ora 12:00- Presidenti i Republikës së Kosovës, në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden ka thënë se edhe çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi do të përfundojë shpejt.

“Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi do të përfundojë shumë shpejt, në përputhje me interesat tona shtetërore. Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi do të hapë perspektivë të sigurt të lëvizjes së lirë. Pa kalimin e Demarkacionit në Kuvend dhe pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota edhe e lënë anash nga SHBA-të dhe Brukseli”, ka thënë ndër tjerash Hashim Thaçi.

Thaçi k“Nuk mund të kërkojmë ndihmë pa kryer detyrat tona”,- Kështu deklaroi

MUSTAFA: FORCOJME MIQESINE DHE PARTNERITETIN ME SHBA
Ora 11:25- Kryeministri Isa Mustafa përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë zhvilluar një takim të frytshëm me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden. Mustafa ka thënë se është i bindur se kjo vizitë do të ndikoj në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

“Pata nderin e veçantë të pres sot Zëvendës Presidentin Amerikan, mikun e madh të Republikës së Kosovës, Joe Biden. Pasi i urova Zëvendës Presidentit Biden mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës, zhvilluam një takim shumë të frytshëm bilateral.Jam thellësisht i bindur se kjo vizitë do të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Zoti i bekoftë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

NIS TAKIMI BIDEN-THACI
Ora 10:40- Sapo ka filluar takimi mes zv. Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit Hahsim Thaçi. Pas pak pritet që të dy të dalin në konferencë për media, të paralajmëruar në orën 11:00.

BIDEN PERFUNDON TAKIMIN ME MUSTAFEN
Ora 10:26- Sapo ka përfunduar takimi mes zv. Presidentit amerikan Joe Biden me kryeministrin Mustafa. Mustafa shihet duke u larguar nga Kuvendi ku zhvilloi takimin me numrin dy të Amerikës. Ndërsa, Biden për pak minuta pritet të hyjë në takimin e dytë, gjatë vizitës së tij në Kosovë. Kësaj here ai pritet në Presidencë nga Presidenti i vendit Hashim Thaçit.

BIDEN TAKON KRYEMINISTRIN MUSTAFA
Ora 09:50- Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka filluar takimin me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa. Pas takimit me kryeministrin, nënpresidenti Biden pritet të ketë një takim edhe me presidentin Hashim Thaçi.
hhhhh-2-780x439

BIDEN MBERRIN NE KUVENDIN E KOSOVES
Ora 09:19 Biden mbërrin në ambientet e Kuvendit të Kosovës ku pritet të zhvillojë takime me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me Kryeministrin Isa Mustafa, takime në të cilat do të jenë edhe një pjesë e kabinetit qeverisës, siç është ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Biden është pritur Togu Ceremonial i FSK-së, nga kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Mustafa.

JA ÇFARË DISKUTON BIDEN ME THAÇIN E MUSTAFËN
Ora 08:30- Qëndrimi në Kosovë dhe në Serbi i nënpresidentit amerikan vjen në një periudhë tensionesh, për shkak të problemeve të brendshme me të cilat të dyja vendet janë përballur dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.

Çështja e dialogut me Serbinë pritet të jetë një prej temave që nënpresidenti amerikan Joe Biden do ta diskutojë me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, në takimet e veçanta. Mësohet se të njëjtën çështje ka hapur edhe në bisedimet me kryeministrin serb Vuçiç në Beograd.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve vlerësohet si çështja më e rëndësishme që do të ndihmojë edhe stabilitetin përgjithësisht në rajon dhe do të ruajë perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Nënpresidenti Biden pritet të diskutojë edhe çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit, posaçërisht me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, që pritet të vihet në funksion brenda muajsh.

Në takimet me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës pritet që të flitet edhe për shtrirjen dhe përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe përfshirjen e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, që do të ndihmonin në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit. Një prej temave themelore pritet që të jetë edhe fuqizimi i institucioneve të Kosovës, por, njëkohësisht edhe aftësia e lidershipit në Kosovë për të çuar përpara proceset e demokratizimit të vendit dhe zgjidhjes së çështjeve të brendshme pa ndikim nga jashtë, siç raporton REL.

AXHENDA
Ora 08:00- Ai sot do të takohet me sot në orën 09:00 me kryeministrin Isa Mustafa dhe në orën 09:45 me presidentin Hashim Thaçi. Takimet me krerët e shtetit do mbahen pa praninë e mediave në selinë e Kuvendit.

Në orën 10:30 Biden do të vizitojë manastirin e Graçanicës.

Në orën 11:00 eshte parashikuar një konference shtypi e Zëvendëspresidentit Biden me Presidentin Hashim Thaçi.

Ndërsa Joe Biden takohet me zyrtarët e shtetit të Kosovës, gruaja e tij Jill do të vizitojë Manastirin e Graçanicës, ku do të takohet me peshkopin Teodosije.

Pasdite rreth ores 14:00 bashkëshortët Biden së bashku me nipin dhe mbesën e tyre do të marrin pjesë në emërimin e rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj, e cila tani e tutje do të mbajë emrin e Joseph R. “Beau” Biden, III.

Në këtë ceremoni të organizuar nga Qeveria e Kosovës do të mbajnë fjalime nënpresidenti Joe Biden, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

MASAT E SIGURISE
Ora 07:30- Policia e Kosovës ka njoftuar lidhur me masat e sigurisë, që do të ndërmerren sot me rastin e vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden në Kosovë. Sipas Policisë, në intervale të caktuara kohore, do të ketë edhe ndalim të përkohshëm për qarkullim në disa rrugë, prandaj do të përdoren rrugë alternative.
Ja në cilat rrugë do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit: Me datën 17.08.2016 nga ora 08:00 do të ndalohet për qarkullim rruga “Agim Ramadani” nga Sllovenia Sport deri te rreth-rrotullimi te ish Gjykata e Qarkut prapa Komunës, rruga e UÇK-së deri te udhëkryqi me rrugën “Migjeni”.
Gjithashtu edhe sheshi “Ibrahim Rugova” deri te sheshi Skënderbeu do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në largimin e personalitetit. Në rajonin e Ferizajt, rruga Bibaj – Dardani dhe anasjelltas do të jetë e ndaluar për qarkullim nga ora 11:00 deri 16:00, të datës 17.08.2016, përderisa zyrtarë policor janë paraparë të orientojnë qarkullimin në rrugën alternative; Gjilan-Kllokot –Viti – Gerlic – Ferizaj dhe anasjelltas, një njësi policore do të vendoset në udhëkryqin e Kllokotit dhe do i orienton/udhëzon qytetaret të cilët destinacion e kanë Ferizajn. Rrugët tjera do jenë nën menaxhim dhe mbikëqyrje të zyrtarëve policor në mënyrë që të lehtësohet zhvillimi i rrjedhshëm i komunikacionit duke përfshirë edhe lëvizjen e delegacioneve të ndryshme.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: