TIRANE – Dhjetë ish-zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, të akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, janë njohur sot në Gjykatë me pretencën e Prokurorisë.
Në pretencën prej 23 faqesh, që u lexua nga prokurori Ramadan Troci, organi i akuzës ka kërkuar 6 vjet burg për ish-zyrtarin e lartë të departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar 6 vjet burg për ish-zyrtarët e bankës Lavdim Cani, Bashkim Xhilaga, Dhimitër Davidhi, Myzejen Belba dhe Liljana Tusha. Sipas organit të akuzës, ish-zyrtarët e tjerë, Bahri Allushi, Gentian Jahja, Fatbardha Gurthi dhe Mehdi Marku duhet të dënohen me nga 5 vjet burgim.

Ndërkohë gjykata pritet të dëgjojë pretendimet e palës mbrojtëse në seancën e 26 dhjetorit, dhe më pas do të marrë edhe vendimin përfundimtar për ish-zyrtarët e Bankës Qendrore.

Në seancën e kaluar, gjykatësi Martin Deda pranoi gjykimin e shkurtuar për 10-ish zyrtarët e bankës, përfshirë edhe ish-zyrtarin e lartë të departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku.

Ish-zyrtarët e lartë të Bankës së Shqipërisë akuzohen për shpërdorim detyre, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Thesar, ku Ardian Bitraj vodhi, të paktën sikurse pretendon i vetëm, shumën prej 713 milionë lekësh, krim që sipas prokurorisë ka cënuar rëndë interesat e shtetit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: