Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Në vit pas vjedhjes në Arkën Stok në ambientet e magazinimit në Bankën e Shqipërisë, të shumës prej 713 milionë lekëve, guvernatori Genti Sjeko nxjerr rregulloren e re për sigurimin e parave. Rregullorja Nr. 56, datë 6.8.2015 për miratimin e rregullores “Për veprimet me fondet në vlera monetare në Bankën e Shqipërisë” është botuar në Fletoren Zyrtare dhe detajon mënyrën se do të kryhen veprimet me fondet në vlera monetare në Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë që për zbatimin e kësaj rregulloreje është ngarkuar Departamenti i Emisionit në Bankën e Shqipërisë. Në vendim thuhet se subjekte të kësaj rregulloreje janë bankat dhe degët e bankave të huaja, të licencuara për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, si dhe klientët e tjerë me status të veçantë që kryejnë veprime me fonde në vlera monetare me Bankën e Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë.
Veprimet
Sipas rregullores së re, e cila hyn në fuqi në shtator, veprimet me fonde në vlerë monetare kryhen në dy mënyra. E para, subjektet e kësaj rregulloreje kryejnë veprime me fonde në vlera monetare në Bankën e Shqipërisë për ushtrimin normal të veprimtarisë, sipas kërkesës së tyre, kryejnë veprime për depozitimin ose tërheqjen e kartëmone-dhave dhe monedhave shqiptare dhe me kërkesë të tyre kryejnë depozitimin e bonove të privatizimit, që janë përdorur më parë si mjet pagese sipas përcaktimeve ligjore. Së dyti, veprimet me fonde në vlera monetare kryhen në Departamentin e Emisionit dhe në degët e Bankës së Shqipërisë në ditët e punës gjatë orarit 08:30-14:30.
Tërheqja
Kërkesa për tërheqjet në vlera monetare kryhet nga subjektet, të cilat mund të tërheqin fonde në vlera monetare në Bankën e Shqipërisë vetëm një herë në ditë në një qendër cash-i. Sipas rregullores, subjektet që kërkojnë të bëjnë tërheqje fondesh në vlera monetare janë të detyruara të dërgojnë në Bankën e Shqipërisë një ditë përpara në formë elektronike kërkesën përkatëse, e cila duhet të përmbajë sasinë dhe vlerën totale të fondeve që kërkohen, të detajuar sipas prerjeve. Guvernatori Genti Sjeko përcakton se në ditën e kryerjes së tërheqjes së fondeve, subjekti paraqet dokumentacionin përkatës, kërkesën dhe çekun të plotësuar, nënshkruar dhe vulosur nga personeli i autorizuar i subjektit.
shumat
Shuma minimale e fondeve që mund të kërkohet për t’u tërhequr duhet të plotësojë karakteristikat e mëposhtme: a) numri i kartëmonedhave për çdo prerje të plotpjesëtohet me 1000. Në rastin e kërkesave të paraqitura në degët e Bankës së Shqipërisë, si dhe kur kërkohen kartëmonedha prerja 5000 lekë, numri i kartëmonedhave të kërkuara mund të plotpjesëtohet me 100; b) numri i monedhave metalike, për çdo prerje, të plotpjesëtohet me 5000. Në degët e Bankës së Shqipërisë, numri i monedhave që kërkohet të tërhiqen për çdo prerje mund të plotpjesëtohet me 1000.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb