Në një takim me qytetarët në Vaqarr, kreu i PD Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda në drejtim të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për mungesën totale të transparencës mbi projektin e inceneratorit të Tiranës. Ai e akuzoi ministren se për gjashtë vite me radhë nuk ka hartuar asnjë raport mbi ecurinë e punimeve dhe përdorimin e fondeve.

“Kishte një ministri me detyrë të mbikëqyrte punimet e djegësit. Kjo ministri ishte ministria që drejtohej nga Lubi Balluku,” tha Berisha.

Sipas tij, heshtja dhe mungesa e raporteve nuk ishin të rastësishme. “Lubia nuk bëri 6 vite një raport, sepse e dinte se paratë i vidhte Edi Rama,” akuzoi Berisha. “Dhe pastaj del e thotë që hanë dardha këta pas shpinës time. Ti nuk ngopesh me dardha gjithë ditën, mor zotëri.”

Ai shtoi se fondet e shpërdoruara për projektin e inceneratorit përbëjnë një shifër marramendëse prej 130 milionë eurosh, duke i krahasuar me nevojat e moshës së tretë: “130 milionë euro janë 812 mijë pensione.”

Në vijim, Berisha kritikoi edhe vendimin për blerjen e avionit qeveritar, duke e konsideruar atë një luks të pajustifikueshëm. “21 milionë euro për avion. Kancelari i Austrisë udhëton me linja tregtare, kurse ky, kryeministri i Shqipërisë, do të udhëtojë me avion të posaçëm,” u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: