TEPELENË

Grabitja me armë e bankës në Tepelenë është bërë nga një i ri me CV ‘të pasur’ në fushën e aktiviteteve kriminale. Bëhet fjalë për Kriso Ruçin, 25-vjeçarin nga Tepelena që ka ngritur më këmbë policinë e Gjirokastrës dhe FNSH-të por ende nuk kanë mundur ta arrestojnë.

Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se ai është një emër i njohur për blutë, pasi më herët është arrestuar për vjedhje dhe është dënuar për kultivim dhe transport droge.
Në vitin 2016 policia njoftonte zyrtarisht se Ruçi ishte arrestuar për vjedhjen e një automjeti në ambientet e spitalit rajonal të Gjirokastrës.

Tepelene Grabitesi
Tepelene Grabitesi

Ngjarja kishte ndodhur në mars të 2016, ku Kristo Ruçi së bashku me disa persona të paidentifikuar, kanë vjedhur automjetin tip “Benz”, në pronësi të B.M vjeç 54, banues në Fier. Policia në atë kohë arrestoi të riun.

Ndërkaq, aktualisht 25-vjeçari ishte në kërkim për kultivim dhe transport droge. Policia e kishte shpallur në kërkim 25-vjecarin në nëntor të vitit të kaluar, pasi në kuadër të operacionit  anti-drogë ‘Prita 2’ dyshohet se drejtonte mjetin me 30 kg drogë.

“Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit K.R, 25 vjeç, banues në Tepelenë, pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ka qenë drejtues i automjetit me targa AA 523 DF ku u gjet 30 kg kanabis”- thuhet në njoftimin e policisë më datë 23 nëntor 2018.

Policia është vënë në ndjekje të tij, duke përdorur të gjitha format e metodat operacionale dhe hetimore për të bërë të mundur kapjen. Autori i dyshuar është lokalizuar në fshatin Mamaj, por më pas ka humbur gjurmët në luginë. Në dispozicion të policisë është vënë edhe një helikopter. Autori mbante armë në dorë dhe nën kërcënimin e saj grabiti paratë e xhiros ditore që ndodheshin në arkën e bankës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb