Le ta fillojmë analizën me bukën, ujin dhe ilaçet, tre nga më jetikëtpër çdo njeri të gjallë mbi tokë, duke i “harruar” sot vjedhjet që na bëhennëpërmjet koncesioneve, PPV-ve, 1 km autostradë në terren fushor, 1 km trotuare, 1 km kanalizime dhe tubacione, 1 metri katror beton e pllaka, një fature për luks kabinetesh dhe zyrash, një peme që mbillet me bujë në parqe, kur priten me dhjetëra në qendër të qyteteve për “kullat e reja të kanabisit”…Për të qenë sa më objektiv, konkret, i besueshëm dhe bindës do t’u referohem disave nga bollëku i fakteve dhe shifrave të përditshme. Jo për t’u vetëmburrur, personalisht kam vite që në disa analiza dhe opinione të mia, sidomos në “Gazeta Shqiptare”, “Telegraf” dhe “BOTA SOT” , krahas disa kolegëve të tjerë, kam dhënë alarmin se, ne si shqiptarë po ushqehemi me bukëra, ëmbëlsira dhe prodhime të tjera me bazë grurë, misër, elb, tërshërë ardhur nga Serbia, Ukraina (Çernobili), Moldavia, Rusia. E keqja shumëfishohet nga fakti se këto janë prodhime shumë të vjetra, të mykura, të krimbura e të ruajtura keq nëpër magazina, mbushur edhe me minj sa mace e maçokë dhe kryesisht, destinuar si ushqim bazë për kuajt, pelat, gomerët dhe kafshë të tjera në këto vende, për arsye edhe të niveleve të larta të rrezikshmërisë për njerëzit. AKU, ka bllokuar rrallë e për mall, më shumë për shou mediatik dhe propagandistik, maune apo kontenierë me dhjetëra tonelata grurë, misër dhe miellra, biskota, makarona, oriz, qumësht pluhur, margarinë, gjalpë, mishra…ardhur nga Ukraina, Serbia, Kosova, Greqia, Brazili, Argjentina…Merret me mend se shumica e maunave dhe kontenierëve të tjerë kanë ndërruar doganë apo kohë kalimi e shkarkimi dhe pastaj, kanë vazhduar avazin dhe krimin rreth 25 vjeçar…Të ndalemi tek gatimi, pesha dhe çmimi i bukës. Përgjithësisht, edhe në këto aspekte për AKU, nëse do të ketë urdhër nga lart e leje me pash të bëjë kontrolle të vërteta, serioze dhe ndëshkime të forta, financiare e ligjore, me tolerancë zero, edhe ndaj shokëve “të partisë dhe të kryetarit të zemrës”, është fare e lehtë të ndalet dhe të kapë “me presh në duar” shumë abuzues apo keqbërës. Përveç përqindjes së lartë të sodës dhe majasë, për t’i fryrë bukët, si me silikon buzët apo gjinjtë e disa femrave parellinje, e keqja apo vjedhja e hapur lakuriqësohet edhe me shumë tek pesha. Një bukë, që sipas listës me llojet dhe çmimet përkatëse të varura në muret e furrave të gatimit dhe tregtimit të bukës, me peshë 800 gram, është përgjithësisht 650-700 gramë. Sipas kësaj tradite apo praktike, një bukë që duhet të jetë 600 gram është de facto 450-500 gramë; ajo 400 gramë blihet dhe hahet me 300-350 gramë. Edhe simitet, dikur me peshë 100-150 gramë, që vite më parë e ngopnin një njeri të rritur, sot blihen duke u zvogëluar në peshë dhe madhësi, me rreth 75 gramë, sa nuk ngopin një fëmijë…

Le të kalojmë tek uji. Dihet se Shqipëria jonë është një nga vendet më pasuri të shumta me ujë të pijshëm, për energji elektrike, për ujitje…Por, prej shumë vitesh, tek ne uji i pijshëm kushton më shumë se në vendet e varfra për këtë lëndë jetësore. Uji që blejmë nëpër tregje, me shishe 1.5-2 litra, pa u kontrolluar me rigorozitet për përbërjen, kushtet e ambalazhimit dhe të magazinimit, kushton rreth tre fish më shumë se në Gjermani. Po kështu, ne paguajmë rreth 2 fish më shtrenjtë se më 2013 edhe ujin për gatim e banjo, edhe pse neve në Tiranë vazhdon të na vijë 4-5 orë në ditë e jo 24 orë dhe i pijshëm, ndërsa në Durrësin turistik apo të Vangjush Dakos nga 1-2 orë në ditë. Por, tek ne ndodh absurdi që edhe 1 ose 1.5 litër ujë kushton më shtrenjtë se një shishe me të njëjtën sasi qumësht, që u blihet nga grosistët fermerëve të Myzeqesë, Devollit, Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Dibrës, Matit, Elbasanit, Dumresë, Beratit, Skraparit, Kurveleshit, Sarandës …Prandaj, me të drejtë, fermerët gjatë muajve mars, prill e maj kanë bërë protesta edhe në formën e derdhjes së bidonëve me qumësht nëpër rrugë e kanale, njësoj siç kanë vepruar fermerët e frutikulturës, duke hedhur nëpër lumenj e përrenj tonelata me portokalle, mollë, patate, speca, qepë, spinaq, sallatë…Merret me mend se si rrjedhojë e shurdh-memecërisë së ministrisë së bujqësisë dhe të gjithë qeverisë, viktimat kryesore dhe më të shumta do të ishim të gjithë si qytetarë dhe konsumatorë, duke e blerë këtë dimër dhe pranverë 1 kg qepë, presh, patate, speca, patëllxhanë, sallatë, qershi… me çmime 2-3 fish më të larta edhe se 2-3 vite më parë, pa e bërë krahasimin me 2013…Skandali më i freskët në fushën e tregtisë u publikua më 31 maj nga AKU. Prej kohësh nëpër disa tregje kishte hyrë dhe ishte shitur si gjalpë rreth 47 tonë margarinë ardhur nga Ukraina( pra edhe nga zonat përreth Çernobilit). Për ne shqiptarët që jemi mësuar prej 75 vjetësh ta hamë sapunin për djathtë, mu..shtin për mjaltë, ferrin për parajsë, kjo nuk përbën ndonjë befasi të madhe. Prej këtij “mali” me abuzime, absurditete dhe paradokse allashqiptare apo “allarilindase” le të kalojmë nëpër depo farmaceutike dhe farmacira. Dihet se shumë prej nesh janë të detyruar të blejnë me paratë e tyre plot ilaçe, që nuk përfshihen në listën e rimbursimit, për shumë prej barnave të së cilës edhe jo pak mjekë të familjes nëpër ambulancat e lagjeve janë të sinqertë, duke shprehur rezerva për cilësinë dhe efektivitetin e tyre.

Në vijim të skandaleve apo abuzimeve kriminale nga kompanitë farmaceutike do t’u referohem dy rasteve, që i kam përjetuar personalisht gjatë muajit maj 2109. Një kuti me vitamina D3 5000 Iu, me 60 tableta, nëpër farmacitë e Tiranës shitet me 3200 lekë ose rreth 26 euro, kur nëpër farmacitë e Gjermanisë, me 365 tableta shitet e blihet me 4.50 -14 euro, domethënë rreth 10 herë më lirë. Po kështu, RIBO FLU, një bar qetësues për dhimbjet e fytit, nëpër farmacitë e Tiranës shitet e blihet 1600 lekë, kur nëpër farmacitë e Gjermanisë, Francës, Italisë…blihet me çmimet 1.30- 4 euro, domethënë rreth 3 herë më lirë?! Nëse Ministria e Shëndetësisë do të ketë kohë, dëshirë, vullnet, guxim, leje nga lart apo nga oligarkët e “mafias farmaceutike”(emërtim botëror) të kontrollojë nëpër depot e kompanive farmaceutike dhe nëpër disa farmaci, do të befasohet kur t’i dalë se lista me abuzime dhe vandalizma të tilla është shumë e gjatë. Raste absurditetesh dhe kriminalitetesh që na viktimizojnë të gjithëve si qytetarë, pra opozitarë, ta pavarur, pozitarë, përjetojmë edhe nëpër agjencitë e udhëtimeve ajrore dhe në Aeroportin “Nënë Tereza”. Edhe për këtë temë të gjerë do t’i referohem një rasti që e kam përjetuar personalisht. Më 16 maj 2019, rreth orës 19.30 të darkës, duke kërkuar online në ofertat nga agjencia e udhëtimeve “Gynstige Flyge”, nëpërmjet Prishtinës, një biletë ardhje dhe kthim, për mbesën dhe nipin tim, nga Dysseldorfi për në Tiranë, me nisje 19 korrik dhe kthim 21 gusht, nëpërmjet një mikut tim, e kapëm me çmimin 103 euro. Kur shkova në njërën nga agjencitë në Tiranë për të bërë pagesën dy ditë më vonë, çmimi kishte shkuar në 270 euro, sepse, siç pranoi pa dashur apo me sinqeritet punonjësja e agjencisë, prej kohësh ofertat shumë të lira apo të ulëta nga Prishtina, Shkupi, Ohri, Podgorica, sulmohen si piranjat nga agjencitë shqiptare, për t’iu shitur me çmime rreth 3 herë më të larta qytetarëve dhe udhëtarëve të Shqipërisë, sikur të ishin më pasurit e jo më të varfrit e Evropës?!

Pikërisht pse janë biznese tejet fitimprurëse e me hapësira të bollshme për vjedhje, abuzime dhe informalitet, për pastrim parash të pista, Shqipëria jonë e vogël, ka shumë gjasa, të ketë për frymë popullsie numrin më të madh të kafeneve, qebaptoreve, byrektoreve, furrave të vogla të bukës, ëmbëltoreve, farmacive, laboratorëve, klinikave dentare, spitaleve dhe universiteteve private, agjencive turistike, agjencive të këmbimit valutor… Në qoftë se do të guxohet të bëhet një analizë tërësore dhe e thellë e pronarëve të tyre, për ne shqiptarët nuk do të përbënte habi kur të dilte se rreth 50- 60% e tyre janë nga kontingjenti masiv i njerëzve me mangësi të ndjeshme arsimore dhe emancipimi qytetar, i lumpenit, i njerëzve me të shkuar e të sotme të lidhur me krimin, trafiqet, me vite nëpër burgjet e botës dhe të Shqipërisë…Merret me mend se njerëz të tillë nuk njohin skrupuj, mëshirë, keqardhje, vrasje në ndërgjegje, pendesë. Për këta nënë e babë, Zot e Perëndi, është paraja në format e shumëllojta të kartëmonedhave më të fuqishme botërore; pasurimi vetjak e familjar me çdo rrugë, mënyrë, faturë…Kuptohet se kur bëhen shumë të pasur dhe krijojnë lidhje shoqërore, ortakërie, partiake me bosë të politikës dhe të qeverisjeve, bëhen shumëfish edhe më vandalë e barbarë e me rrezikshmëri masive shoqërore, shtetërore e kombëtare, duke e vlerësuar dhe trajtuar shëndetin dhe jetën e njerëzve si mall krejt pa vlerë apo si thesar për pasurimin e tyre më të madh. Prandaj, si qytetar e si konsumator, jam mbështetës i idesë dhe propozimeve të kryeministrit Edi Rama për ashpërsimin e masave ndëshkuese, deri me 5 vite burg, për të gjithë abuzuesit në prodhimin dhe tregtimin e artikujve ushqimorë, farmaceutikë, kozmetikë…Por, njëherazi kam parandjenjën e dyshimin se këto ndryshime në kodin penal do të keqpërdoren për “gjueti shtrigash”, kryesisht ndaj atyre që nuk janë shokë, ortakë apo sponsorë të partisë, të qeverisë e të bashkive, duke mbyllur sy, veshë, gojë, dyer gjykatash dhe burgjesh ndaj “njerëzve tanë”, që jo “rastësisht”, janë më të shumtë…/Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: