Ministri i Tregtisë në Bosnje e Hercegovinë, Mirko Sharoviç, i tha Radios Evropa e Lirë se nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – si dy forcat më të mëdha politike që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës – pritet që të qetësojnë raportet rajonale.


Ai tha se para së gjithash Bosnja pret heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj.


“Menjëherë pas formimit të qeverisë, unë pres heqjen e tarifave. Derisa kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë komplikim të raporteve brenda CEFTA-s, por edhe në përgjithësi në rajon”, ka thënë Sharoviç.


Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Bosnje e Hercegovinës, Nemanja Vasiç, pret heqjen e tarifave për mallrat nga Bosnja.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vasiç thotë se është mirë që klima politike në Kosovë po ndryshon, dhe se kjo mund të çojë në eliminimin e tarifave.

“Sipas deklaratave të para të fituesve, pritet që ato të shkojnë drejt heqjes, por gjithashtu është e qartë se do të ketë kushte të reja politike. Kjo është ende në sferën e politikës, “tha Vasiç.

Tarifat prej 100 për qind për mallrat nga Bosnja dhe Serbia u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, eksporti i këtyre dy vendeve në Kosovë u ndal pothuajse plotësisht.

Kjo bëri që të ndërpritet edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohej përmes lehtësimit nga ana e Bashkimit Evropian.

Në arsyetimin e saj, Qeveria e Kosovës kishte thënë se Bosnja dhe Serbia duhet të njohin pavarësinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë disa herë thirrje për heqjen e tarifave, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./REL