Sot, në Panairin e Librit, në Stendën e Botimeve “Toena”, u organizua promovimi i romanit “Vetëm dëgjo” i shkrimtares best-seller amerikane, Sarah Dessen.

Ky është libri i tretë i kësaj shkrimtareje që është përkthyer në gjuhën shqipe nga Enkeleida Haxhinasto. Dy librat e tjerë janë “Kjo ninullë” dhe “Dikush si ti”.

Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës të shkollave të mesme të Tiranës. Aty u paraqitën edhe book trailer-at e përgatitur nga përkthyesja për të tre librat.

Në letërsinë bashkëkohore, Sarah Dessen, konsiderohet si një yll i letërsisë për të rinj. Sipas gazetës, New York Times, ajo është shkrimtarja bestseller nr.1 e trembëdhjetë romaneve që janë shitur në miliona kopje në mbarë botën.

Librat e saj janë vlerësuar me çmime të shumta dhe janë zgjedhur shpesh në listat e dhjetë librave më të mirë për adoleshentë.

“Vetëm dëgjo”

Nëse keni përjetuar një nga eksperiencat më të tmerrshme të jetës suaj gjatë adoleshencës, atëherë duhet ta lexoni romanin “Vetëm dëgjo”, sepse kjo i ka ndodhur edhe personazhit kryesor të librit, Anabelës.

Në romanin “Vetëm dëgjo”, personazhet janë adoleshentë realë me probleme reale që përpiqen të çajnë përpara.

“Vetëm dëgjo” është një roman i shkruar në vetën e parë dhe tregohet nga personazhi kryesor, Anabela Grin. Anabela vendos të mos i hapet njeriut për atë që i ka ndodhur, duke i mbrojtur në këtë mënyrë njerëzit e saj të dashur nga dhimbja. Vetëm kur mëson të dëgjojë zërin e saj të brendshëm, ajo kupton se nuk mund të fshihet më nga e vërteta.

Personazhet përballen me probleme të ndryshme, të tilla si: izolimi social, depresioni, anoreksia etj. Romani “Vetëm dëgjo” analizon se si njerëzit gjejnë zgjidhje për të dalë nga situatat e vështira në të cilat ndodhen.

Një temë tjetër është zbulimi i vetvetes. Të gjithë e dimë shprehjen: “Ajo që nuk na vret na bën më fortë”. Ndonëse personazhet kalojnë situata të tmerrshme, ne shohim se si ata përjetojnë momente të zbulimit të vetvetes.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb