Një 36-vjeçar nga Kosova ishte sot në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 për të rrëfyer historinë e tij. Korab Mexhuni nga Prishtina ka shtatë vjet që nuk sheh djalin e tij i cili në Mars të këtij viti bën 9 vjeç. Babai i dëshpëruar  nuk ka arritur dot nëpërmjet institucioneve t’i japë zgjidhje kësaj situate.

Në vitin 2008, Korabi lidhi kurorë me bashkëshorten e tij. Dhe një vit më pas erdhi në jetë vogëlushi i tyre. Por mosmarrëveshjet e shumta midis tij bashkëshortes dhe familjes së saj bënë që në vitin 2012 të merrte fund martesa dhe çifti të shkonte drejt divorcit.

Sipas Korabit, një nga arsyet që ai dhe bashkëshortja e tij grindeshin shpesh ishte fakti se sipas tij shumë të ardhura që ky i fundit i fitonte shkonin pa dijeninë e tij tek familja e bashkëshortes.

Vjehrri, sipas 36-vjeçarit jetonte në kurrizin e vajzës dhe dhëndrit. Çifti asokohe jetonte në Zvicër, Korabi disa herë i kishte kërkuar bashkëshortes të ktheheshin në Kosovë për të shpëtuar martesën pas për një periudhë të gjatë ata kanë jetuar të ndarë, por kjo e fundit sipas tij ishte në presion midis familjes së saj, pra prindërve dhe Korabit.

Korabi Me Zemer Te Hapur
Korabi Me Zemer Te Hapur

“Kur jemi njohur, ish-bashkëshortja ka qenë në Zvicër dhe vinte për pushime. U njohëm nga shoqëria e përbashkët. Shkova të jetoja në Zvicër prej saj pavarësisht se nuk e kam pasur asnjëherë në mendje. Ajo mori letrat e Zvicrës që t’i kishte. Unë shkova me të por me marrëveshje që nëse nuk do ishim mirë, të ktheheshim në Prishtinë. Por më pas filluan problemet, kisha mosmarrëveshje me babain e saj. Unë nuk dija gjuhën, komunikoja në anglisht. Ata këmbëngulnin që të mësoja gjermanisht. E kemi ndihmuar familjen e saj edhe me dijeninë time dhe pa dijeninë time.
Ata kanë jetuar në Zvicër por kanë qenë 140 km larg nesh. Para se të lindte djali u afruan 1 km larg që të ishin pranë vajzës. Prindërit e saj jetonin me ndihmë sociale. Kur erdhën afër filluan të thoshin që po vijmë për të ndihmuar për djalin që do lindë, e tani duhet të paguhen. Atje ishte qiraja 1200 franga, këtu 1600 e sikur po lëviznin për shkak të djalit tim. Unë i mora dhe i ula vjehrrit dhe iu thashë që s’keni nevojë të prishni jetën sepse unë nuk i kam bërë llogaritë as me ju e as me prindërit e mi, planifikimin familjar. Kështu që ju shikoni jetën tuaj. Por unë e dija që ata lëvizën sepse nuk i kishin mirë marrëdhëniet me djalin e vogël. Ata erdhën për të jetuar pranë nesh.
Kur kërkoja llogari për paratë, gruaja më thoshte se ti nuk di mirë gjuhën dhe ngatërrohesh. Por numrat janë njësoj në të gjitha gjuhët. Unë vetë i kisha thënë vjehrrit që kthehu në Kosovë e unë t’i çoj 500 franga çdo muaj. Por jo të paguaja nga 2-3 mijë franga në muaj.
Kur i thashë herën e parë për paratë, gruaja iku tek prindërit për të ndenjur dhe ndenji 8 ditë. Nuk më mori as në telefon. Ditën e nëntë kam shkuar tek shtëpia e prindërve të saj dhe i kam rënë derës e nuk e hapnin. Dola nga pas shtëpisë dhe pashë që i mbyllën grilat.
Por zbulova se e gjitha ishte një skenar i gruas. Është një ligj në Zvicër. Ajo kishte si qëllim që të thoshte se burri më ka kërcënuar dhe të përfitonte nga ky ligj. Erdhën dy policë dhe më pyetën çfarë kishte ndodhur dhe më tërhoqën vërejtje. Asnjëherë nuk ka pasur dhunë në familje. Ka pasur ngritje të zërit por asnjëherë ngritje të dorës. Edhe pse ajo ka pretenduar”, deklaroi Korabi.

Pas divorcit në Kosovë, gjykata vendosi që djali të ishte në ngarkim të Korabit, dhe nënës iu caktuan ditë për ta takuar të birin si dhe detyrimi ushqimor, por këtu nis edhe drama e këtij babai i cili prej 7 vitesh nuk e sheh të birin. Ish-bashkëshortja sipas tij e ka marrë djalin dhe tashmë ajo jeton në Zvicër, duke ndërprerë çdo lloj komunikim me 36-vjeçarin i cili është i dëshpëruar dhe vjen në studio për të gjetur një zgjidhje. Por Korabi ka shprehur dhe një dyshim tjetër në studio. Ai tha se kur janë ndarë gruaja e tij ishte shtatzënë por më pas i ka thënë se e ka abortuar.

Korabi tha se ka dyshime se dhe vajza është e tij. Këtë gjë e ka vërtetuar, xhaxhai i ish-gruas së tij, Elezi, i cili në një lidhje telefonike me emisionin “Me zemër të hapur” ka deklaruar se vajza ka lindur nga marrëdhënia e Korabit me mbesën e tij. “Në dijeninë time, Korabi ka dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Edhe vajza është e tij”, tha xhaxhai i ish-bashkëshortes. Ky konfirmim ka qenë tronditës jo vetëm për Korabin që vërtetoi dyshimet e tij.

Ai ka kërkuar ndihmë për të bërë të mundur që të rifitojë fëmijët, ose të ketë të drejtën të ushtrojë atësinë për fëmijët e tij pasi nëna nuk ia lejon.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb