Bashkëshortja e tregtarit të vrarë në Durrës në prill të vitit 2017, Agim Arapit, u lidh sërish mbrëmjen e sotme me studion e emisionit ‘Dritare me Rudinën” në News 24 dhe pohoi sërish se familja e saj nuk ka lidhje me vrasjen e 26-vjeçarit Kurti, mbrëmjen e djeshme.

Ajo thotë se nuk e donte të vrarë, por në burg Jurgen Kurtin. Vjollca Arapi tregoi se policët i kanë trokitur mbrëmë në shtëpi dhe e kanë mbajtur në komisariat deri në orët e para të ditës së sotme.

“Pas ngjarjes mbrëmë më ka ardhur policia dhe më kanë marrë në shtëpi, bënë ato investigimet e veta, më mbajtën aty deri në 4 e 30 të mëngjesit. Nuk jam edhe mirë me shëndet se para një jave kam pësuar një para infarkt. Më dhimbset ai që vdiq edhe pse ishte autori i vdekjes së burrit tim. Unë kam kërkuar gjithmonë drejtësi, jo vdekjen e atij. Jam e lemeritur kur dëgjova të bërtiturat e nënës së tij, kërkoja drejtësi, jo vdekjen e tij. Unë të drejtën time do ta kërkoj deri në fund sepse nuk i kishim faj. Nëse do ishte në burg kur vrau babën e vet tani burri im do ishte gjallë”,- tha ajo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb