TIRANË

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku i ftuar në studion e News 24, ka komentuar zgjedhjet e mbajtura sot në Kosovë. Ai tha se në të dhënat paraprake dhe informacioneve që disponon, LDK-ja e Vjosa Osmanit del që është partia e parë në raport me partitë e tjera që janë në garë.

Sipas tij, procesi i zgjedhjeve në Kosovë duhet të shërbejë si model edhe për Shqipërinë, ndërkohë nënvizoi faktin se partitë shqiptare duhet të “turpërohen” në raport me kulturën që tregojnë gjatë zgjedhjeve. Ai theksoi se Serbia ka bërë dhe bën përpjekje të jashtëzakonshme, që Kosova të mos zgjohet të hënën me kryeministre, Vjosa Osmanin.

“Vjosa Osmani është një produkt cilësor diplomatik. Sipas informacioneve që kam, LDK-ja është forca e parë. Duke parë modelin e zgjedhjeve në Kosovë, ne duhet të turpërohemi të gjithë. Ky sens përmbajtjeje e kulture,  që na treguan  vëllezërit tanë kosovarë duhet të na bëjnë ne të skuqemi. Ky është momenti që të marrim një shembull nga Kosova. Këtu brenda na kap kjo sëmundje e hileve. Zgjedhjet e Kosovës ishin një model që duhet t’i ndjekim me admirim, dhe duhet t’i shohim si një sfidë për ne. Këto zgjedhje në Kosovë nuk do të jenë pa ndikime ballkanike. Ka pasur investime të jashtëzakonshme nga Serbia, që mos të zgjohet Kosova të hënën me Vjosa Osmanin kryeministre”-tha Çollaku.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb