Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë një fjalimi vjetor në Parlamentin e vendit se rrezikimi dhe cenimi i marrëdhënieve me shtetet aleate cenon vetë Kosovën dhe është gabim strategjik.
“Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona”, tha Osmani të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, presidentja e vendit tha se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtën e republikës sonë”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, është kritikuar dhe akuzuar gjatë këtij viti nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe.
Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, përkundër mospajtimeve për disa çështje.
Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.
Tutje, Osmani i bëri thirrje spektrit politik të këtë angazhim të madh vitin e ardhshëm për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
“Ka disa gjëra që kërkojnë vëmendje dhe angazhimin e të gjithëve gjatë vitit 2025. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO duhet të jenë suksese të vitit 2025”, tha ajo.
Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk pati sukses për shkak se u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë./REL