Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Presidentja i uroi mirëseardhje dhe sukses ambasadorit Orav përgjatë mandatit të tij, gjersa ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Më tej, Presidentja theksoi se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë sigurinë, si dhe bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: