TIRANË

Pas njoftimit të bërë sot nga kreu i qeverisë, Edi Rama për VKM për bursat dhe tarifat e studentëve, ka ardhur reagimi edhe nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, ky institucion shprehet se po punon intensivisht për të identifikuar numrin e studentëve, të cilët përfitojnë nga vendimet e marra nga qeveria Rama.

Gjithashtu ministria deklaron se po  punon për të ndërtuar një profil të detajuar për çdo student dhe e gjitha kjo do të behët  me qëllim kategorizimin nëse  studentët përfitojnë apo jo në masat e vendosura. Rama sot njoftoi se nga nesër të gjithë studentët duhet të fillojnë dorëzimin e dokumentacioneve të kërkuara pranë fakulteteve të tyre.

Mes tjerash në reagim përcaktohet edhe afati i mbledhjes së të dhënave për çdo student: “Strukturat përkatëse pranë universiteteve publike janë angazhuar plotësisht për të mundësuar brenda datës 11.01.2019 gjithë informacionin e nevojshëm”, theksohet në njoftim

“Në përmbushje të angazhimeve të Qeverisë Shqiptare për plotësimin e kërkesave të studentëve, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me prioritet, po angazhohet maksimalisht në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, për sigurimin e një informacioni sa më të plotë për identifikimin e numrit të studentëve, si dhe përcaktimin e programit ku ata ndjekin studimet e tyre, për të gjitha kategoritë e parashikuara në secilin prej vendimeve nr.778, 779, 780, 781, 782 dhe 784, datë 26.12.2018 të Këshillit të Ministrave.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka kërkuar pranë çdo institucioni publik të arsimit të lartë informacion lidhur me numrin total të studentëve që përfitojnë, në rast të plotësimit të kritereve të përmendura në Vendimet e Këshillit të Ministrave të sipërcituar për tarifat dhe bursat. Strukturat përkatëse pranë universiteteve publike janë angazhuar plotësisht për të mundësuar brenda datës 11.01.2019 gjithë informacionin e nevojshëm.

Pas marrjes së këtij informacioni do të vijohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të lëvrohet fondi i nevojshëm për subvencionimin e IAL-ve publike në përballimin e efektit financiar, në zbatim të vendimeve. Sekretaritë mësimore pranë universiteteve dhe administratorët do të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët. Veprimtaria e tyre do të monitorohet për të mos pasur asnjë keqinformim apo veprim në kundërshtim me vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave”, thuhet në njoftim.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb