TIRANË

Janë publikuar vendimet e marra ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Në këto vendime bie në sy përcaktimi i buxhetit fillestar për SPAK për vitin 2019, shumë e cila shkon në 150 milionë lekë.

Sipas VKM-së, kjo shifër e përcaktuar është vënë në dispozicion për të gjitha shpenzimet e mundshme, të cilat do t’i duhen këtij organizmi në kuadër të Reformës në Drejtësi. Kjo strukturë pritet të hetojë korrupsionin në nivele të larta drejtuese, përfshirë edhe rastet e mundshme në fushën e politikës.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të ngrihet në muajin shtator, ndërsa tashmë qeveria ka lëvruar edhe shpenzimet paraprake gjatë muajve të mbetur të 2019.

Vendimi i miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave:

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E BUXHETIT FILLESTAR TË STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019.
  2. Ngarkohen Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb