TIRANE – Vrasja e Agim Bucit dhe plagosja e bashkëshortes së tij, Rita Buci, gjatë një tentative për të grabitur dyqanin e tyre ushqimor nga Vladimir Kurti ka frikësuar familjen e këtij të fundit.

I ati, Petriti, ka kërkuar mbrojtje për familjen e tij nga frika e një hakmarrjeje të mundshme. Familja Kurti kërkon mbrojtje për babain dhe 3 vëllezërit e Vladimirit.

Autori i vrasjes së Agim Bucit, nuk ëshët krejt i panjohur nga policia. Ai ka precedentë të mëparshëm edhe për dhunë në familje. Ka qenë vetë i ati i tij që e ka denoncuar në polici.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për BalkanWeb se pas ngjarjes, kur e shoqëroi policia, Petriti, i ati i Vladimirit u ka thënë policëve: “Merreni e mos ma ktheni më në shtëpi djalin”.

Si pasojë e ngjarjes, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën “arrest me burg” Vladimir Kurtin dhe Rruzhdi Hodën për veprën “vjedhje me pasojë vdekjen”.

Ngjarja në Kamëz

“Më datë 24.04.2018, i dyshuari Vladimir Kurti është takuar me të dyshuarin Rruzhdi Hoda dhe i ka thënë këtij të fundit se do të kryenin një punë bashkë, do të shkonin të vidhnin diku.

Të nesërmen i dyshuari Rruzhdi Hoda me automjetin e tij tip Golf me targë AA 2699 KF, ka vajtur pranë banesës së të dyshuarit Vladimir Kurti. Ky ka marrë kapucët dhe dorashkat në shtëpi dhe i është drejtuar makinës.

Lëvizën me automjet deri tek rruga Miqësia dhe aty parkuan makinën në lagje. Më pas në kmëbë ecën përgjatë Bulevardit Berisha dhe janë kthyer te kthesa që të çonte tek dyqani i Agim Bucit.

Rreth 30 metra para se të shkonin te dyqani, Vladimiri i ka dhënë Rrushdiut një thikë buke me bisht druri, një palë dorashka dhe një kapuç.  Vladimir që kishte të veshur një xhup të zi me kapuç ecën bashkë me Rruzhdiun drejt dyqanit. Rreth 5 metra përpara se të futeshin në dyqan, Vladimir ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe u fut në dyqan, i ndjekur nga Rrushdiu me thikë në dorë.

Vladimiri është afruar tek kasa e lekëve për të marrë lekët, ndërkohë që pranë kasës ndodhej fëmija i mitur i Agim Bucit. Rita kur ka parë Vladimiri tek kasa e maskuar e ka gjuajtur me produkte ushqimore. Në atë moment Vladimir ka gjuajtur duke e plagosur dhe gruaja është rrëzuar.

Direkt është afruar Agim Buci që u përlesh me Vladimir Kurtin, i cili e gjuajti me armë dhe atë. Pas ngjarjes të dy të dyshuarit janë larguar me vrap.

Ata kanë vrapuar të maskuar deri tek rruga Berisha. Para se të dilnin aty kanë hequr maskat dhe kanë vazhduar rrugën jo duke vrapuar.

Pasi hipën në makinë kanë dalë tek lumi i Bovillës dhe nga ura e Zgafnorit, kanë hedhur maskat, dorashkat, xhupa e pantallonat në lumë.

Ndërkohë po vijon kontrolli për gjetjen e armës së krimit.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb