Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të vizitojë Serbinë më 17 janar të vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Siç shkruajnë mediat serbe, ndërsa zgjidhja përfundimtare e problemit të Kosovës afrohet, dy fuqitë më të mëdha, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po luftojnë për dominim në rajon.

Pas letrës së presidentit amerikan Donald Trump, në të cilën iu bën thirrje Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiçit për të arritur marrëveshje historike, presidenti rus nuk dëshiron të humbë kohë.

“Pasi marrëveshja në Paris më 11 nëntor nuk është arritur përkundër pritjeve, Trump ka parë si shans që të marri një rol kyç dhe mentorimin e negociatave”, citon burimet e veta nga qarqet diplomatike, media serbe “Blic.rs”.

Prandaj, në një letër drejtuar Thaçit ai tha se ai është i gatshëm për të pritur atë dhe Vuçiçin në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar për zgjidhjen e problemit.

Në një letër dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, presidenti amerikan Donald Trump, ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.
Madje, siç është thënë më tej, një marrëveshje e tillë është e arritshme.

Në fund, ajo që bie gjithashtu në sy është fakti se Trump ka shkruar se pret që në Shtëpinë e Bardhë të mirëpres presidentin Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç, për “të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”.

Dhe këtë “ngutje” të Putinit, media serbe e quan “panik”, për të cilën gjë shkruan se edhe ka vendosur që së shpejti të vizitojë Serbinë.

Rusia njihet si mbështetëse e aspiratave të Serbisë. Këtë së fundmi e dëshmoi edhe ambasadori rus në OKB Vasily Nebenzja i cili mbështeti presidentin serb Vuçiç dhe Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajtur me propozimin e Serbisë, për shkak të formimit të ushtrisë së Kosovës.

Ai tha se ndau shqetësimin e shprehur nga presidenti serb dhe theksoi se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës është shkelje e Rezolutës 1244 dhe se kërcënon paqen dhe sigurinë në rajon. Ai gjithashtu vlerësoi se KFOR-i ishte selektiv në përmbushjen e mandatit të tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb