TIRANE- Gazetarja Dorjana Bezat ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” fotot e autorëve të grabitjes me pasojë vdekjen e një personi në market “Gerti” në Kamëz.
I veshuri me të bardha është 28-vjeçari Vladimir Kurti personi që qëlloi me armë mbi pronarin e marketit Agim Buci duke e lënë të vdekur, ndërsa personi i veshur me të zeza është Ruzhdi Hode, shoku i tij.
Të dy djemtë janë me origjinë nga Mati dhe njiheshin prej kohësh pasi jetonin në zonën e Kamzës. Ndërsa Vladimiri ishte dënuar më herët për grabitje me dhunë, Rruzhdiu nuk rezulton të ketë qenë i skeduar.
SI RA POLICIA NE GJURMET E TYRE
Prova kryesore që ka çuar në identifikimin e tyre fillimisht kanë qenë pamjet e kamerave të sigurisë të vetë dyqanin ku ndodhi ngjarja. Policia u fokusua në zonën e Kamzës, ndërsa Kurti dhe Hodaj u shoqëruan bashke me shumë të dyshuar të tjerë. Pasi krijuan dyshime të forta, blutë e kryeqytetit ushtruan kontroll në banesat e tyre. Ndërsa po merrej në pyetje autori kryesor, Vladimir Kurti nuk duroi dot dhe rrëfeu se ishte ai personi që kishte qëlluar me armë gjatë grabitjes. armë të cilën e kishte hedhur më pas në lumin e Tiranës.
GRABITJA E PARE E VLADIMIRIT
Në dhjetor të vitit 2010 Vladimiri së bashku me 2 miq të tij kanë marrë një taksi në qendër të Tiranës dhe pasi e kanë çuar në Babrru nën kërcënimin e një thike i kanë marrë taksistit celularin dhe paratë që kishte me vete. Më pas taksistin e kanë kaluar në sedilen e pasme dhe kur kanë qenë duke ecur makina është përplasur me një shtyllë ku të plagosur mbetën miqtë e Kurtit dhe taksisti. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe arrestoi bashkëpunëtorët e Kurtit, ndërsa ky i fundit arriti të largohej. Kurti u arrestua disa vite më vonë dhe në 2012 u dënua nga gjykata me 3.4 vite burg. Edhe asokohe ashtu si këtë herë ai u shpreh i penduar dhe bashkëpunoi me autoritetet duke lehtësuar pozitat e tij.
(m.a/BalkanWeb)