Manjani-gjyqtarëve: Të bëhemi bashkë, duhet të frenojmë kërkesën për ryshfet*
TIRANE – “Po të isha unë gjyqtare në Shqipëri, gjyqtare që bënte punën e saj me përkushtim dhe në respekt të standardeve, unë do të isha e para që do të kërkoja reformën në drejtësi.” Kështu deklaroi ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Konferencës Gjyqësore. Ambasadorja e BE-së theksoi sërish se reforma në drejtësi nuk është reformë kundër gjyqtarëve.

“Përkundrazi, kjo reformë është projektuar në mënyrë që të sillet sërish besimi dhe dinjiteti i të gjithë atyre që e bëjnë punën në mënyrë të përgjegjshme. Ka shumë elemente kjo reformë dhe një arsye kyçe thelbësore për të është mungesa thelbësore e besimit në sistemin gjyqësor shqiptar. Një nga arsyet kryesore se përse ekziston kjo mungesë besimi janë aludimet për korrupsion. Ata që i shërbejnë ligjit janë në fakt mbrojtësit kryesore të kushtetues dhe demokracisë.”- tha ambasadorja e BE-së.

MANJANI-GJYQTARËVE: TË BËHEMI BASHKË, DUHET TË FRENOJMË KËRKESËN PËR RYSHFET
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi rëndësinë e ndërtimit të një pushteti gjyqësor mbi pushtetet e tjera. Gjatë fjalës së tij në Konferencën Gjyqësore, ministri Manjani tha se duhet të frenohet kërkesa për ryshfet.

“Besimin e gjykatës tek publiku nuk mund ta rregullojë askush përveç gjykatësve. Nuk kam ndërmend të merrem me komentet e vendimeve të gjykatës. Vetëm përkeqësohet klima e besimit dhe nuk ndihmon. Kushdo që komenton negativisht vetëm përkeqëson pozitën e gjykatës. Ne e kemi kollaj të themi që jeni të korruptuar. Ju fusim në një thes dhe gjejeni ju çelësin për të dalë. Po përpiqemi të jemi në një varg që të dalim bashkërisht aty ku duhet. Zvarritja e gjyqit është shkak kryesor për korrupsion. Nuk bëhet detyrimisht për para, por njerëzit e mendojnë këtë. Po flasim për besim. Gjykatësit janë po aq të korruptuar saç është i përhapur ky fenomene dhe në sektore të tjera. Po nuk u kufizua korrupsioni në gjykatë nuk mund të kufizohet në vende të tjera.”- deklaroi Manjani.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb