Nga PETRIT HALITI*-
Dy shtete të rëndësishme europiane, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë ndërmarrë një nismë diplomatike për Bosnjë-Hercegovinën Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian e diskutuan këtë nismë në mbledhjen e tyre të rregullt të datës 17 nëntor, ku i dhanë një mbështetje të plotë. Thelbi i nismës gjermano-britanike është që udhëheqësit e rinj të Bosnjë-Hercegovinës, të dalë nga zgjedhjet e tetorit të këtij viti, të nënshkruajnë një dokument, ku të angazhohen se do të ndërmarrin reformat e duhura për ta bërë Bosnjë-Hercegovinën një shtet funksional dhe, pas këtij angazhimi, BE do të vërë në zbatim Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të nënshkruar nga Bosnja në vitin 2008, por që nuk hyri asnjëherë në fuqi, për shkak të stanjacionit institucional të atij shteti. Nisma u shpall në një letër të përbashkët të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank Steinmeier dhe sekretarit britanik për çështjet e jashtme, Filip Hamond, në datën 5 nëntor, drejtuar përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE, Federica Mogherini, si dhe komisionerit të BE për fqinjësinë dhe bisedimet e zgjerimit, Johannes Hahn.

Është hera e parë që Gjermania dhe Britania e Madhe ndërmarrin një nismë të përbashkët diplomatike në Ballkan, çka dëshmon jo vetëm vazhdimësinë e interesimit të shteteve të fuqishme europiane për këtë rajon, por edhe një angazhim të ri të vetë Bashkimit Europian në stabilizimin dhe integrimin e vendeve të rajonit. Ky zhvillim tregon gjithashtu, rëndësinë dhe urgjencën e zgjidhjes së krizës së Bosnjë- Hercegovinës, si një problem gangrenë jo vetëm e atij shteti, por edhe e të gjithë Ballkanit, që po të tolerohet të vazhdojë në gjendjen aktuale kritike, mund të bëhet detonator i konflikteve të ashpra dhe të gjëra etnike. Nisma përmban kërkesa konkrete dhe hapa konkrete në drejtim të akordimit të ndihmës së BE për vënien e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës në shinat e reformave institucionale dhe të integrimit europian. Nisma gjeti mbështetjen e gjerë edhe në BE, edhe nga SHBA, ku zëdhënësja e Departamentit të Shtetit deklaroi në 5 nëntor se SHBA përshëndesin dhe mbështesin nismën për reformat në Bosnjë-Hercegovinë, që njoftuan ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe.

Nisma përfaqëson një fazë të re të rëndësishme të angazhimit të Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe, por edhe të vetë Bashkimit Europian në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Ballkan. Rëndësia e saj kuptohet nga roli dhe pesha europiane e ndërkombëtare e iniciatorëve, si dhe nga konkretësia e hapave dhe drejtimeve, ku kërkohet angazhimi i Bosnjë-Hercegovinës në rrugën e integrimit europian.

Jemi para një fokusimi të ri europian në një vatër krize dhe stanjacioni, që ka emrin Bosnjë-Hercegovinë. Ndërmerret për një shtet disfunksional, i cili është shndërruar prej vitesh në një shqetësim të gjerë ndërkombëtar për ngecjen në vend të reformave, për bllokimin tradicional të institucioneve, ashtu dhe për tensionet e rrezikshme etnike, që vlojnë brenda tij. Formatimi i këtij shteti mbi bazën e linjave etnike, pas marrëveshjes se Dejtonit të vitit 1995, solli një disekuilibër shtetëror, ku edhe 19 vjet pas mbarimit të luftës, Bosnja nuk ka ende trajtën e një shteti real dhe normal. Tani Gjermania dhe Britania e Madhe paraqesin një platformë, e cila, e thënë me një gjuhë të thjeshtë, synon t’u veshë këmishën e forcës udhëheqësve politikë të të tria entiteteve etnike në atë shtet dhe t’i bashkojë në rrugën e duhur të një shteti funksional, që ecën drejt integrimit europian. Nisma u shtron rrugën, u jep detyrat dhe garanton integrimin europian të vendit, natyrisht mbi bazën e angazhimit të të gjitha forcave politike të të tria entiteteve për realizimin e objektivit të organizimit  demokratik dhe funksional të shtetit dhe zgjidhjes së vështirësive të mëdha ekonomike dhe sociale, që përballon populli i Bosnjë-Hercegovinës.

Nisma gjermano-britanike lindi si nevojë e kohës dhe në një terren të caktuar gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor. Është koha kur kontinenti europian po kalon një tronditje të madhe si rezultat i ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë dhe i pushtimit të një pjese të territorit të Ukrainës nga Rusia. Hapja e një vatre të re konflikti në Ukrainë ka pasojat dhe efektet zinxhir edhe në rajonet e tjera të kontinentit. Ka shenja të qarta se përplasja gjeopolitike BE-Rusi për Ukrainën mund të shtrihet në shtete e rajone të tjera dhe sidomos në Ballkan, që është hallka më e dobët e stabilitetit kontinental. Pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë dhe acarimit të marrëdhënieve europiano-ruse konstatohet një aktivizim i madh i diplomacisë dhe i ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan, me strategjinë saj të krijimit të tensioneve dhe të trazirave në dëm të integrimit europian dhe atlantik të këtij rajoni. Strategjia ruse e provokimit të tensioneve dhe e shkrirjes së konflikteve të ngrira në Ballkan synon në radhë të parë shtetet dhe zonat, ku tensionet janë të gatshme dhe mund të ndizen me provokimin më të vogël. Në krye të listës së vatrave ballkanike të tensioneve qëndron Bosnjë-Hercegovina, ku kursi separatist i të quajturës “Serpska Republika” synon dhe punon hapur për prishjen e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe bashkimin me Serbinë. Në këtë strategji separatiste Rusia ka gjetur një alet të ngushtë, siç është udhëheqësi radikal i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodiç, i cili po zbaton misionin e sabotimit të funksionimit të shtetit, nëpërmjet krijimit të tensioneve të reja separatiste në vend. Dodiç ka dalë hapur kundër lidhjeve me perëndimin dhe ka shpallur kursin e lidhjes me Rusinë. Ai përkrahu pushtimin rus të Krimesë, është kundër NATO-s dhe kundër pavarësisë së Kosovës dhe ka bërë deklarata kundër kombit shqiptar. Nuk është e rastit që Presidenti rus, Vladimir Putin e ka pritur dhe ka zhvilluar bisedime disa herë të, pra me udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, në një kohë që Putin nuk e ka takuar asnjëherë Presidencën e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe as disa nga presidentët e shteteve të Ballkanit. Moska po punon që hapësirën gjeopolitike të influencës ruse ta shtrijë edhe në Serbi, edhe në “Serpska Republika”. Me një fjalë, ajo po përpiqet të manipulojë popullin serb dhe ta përdorë si instrument i destabilizimit të rajonit të Ballkanit. Rusia doli hapur kundër integrimit europian të Bosnjë-Hercegovinës, kur u diskutua në 11 nëntor në Këshillin e Sigurimit të OKB zgjatja e mandatit të EUFOR-it në Bosnjë. Rusia kërkoi me insistim që nga rezoluta të hiqej fjala “integrim euroatlantik” dhe për këtë arsye ajo abstenoi, në një kohë që 14 shtetet e tjera anëtare të KS të OKB votuan në favor të rezolutës.

Në këtë situatë plot rreziqe ruse në horizont, dalja me nismën e Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe për Bosnjën është një kundërpërgjigje pozitive dhe efikase drejt neutralizimit të shpërthimeve etnike në Bosnjë, drejt shërimit të plagëve të mëdha ekonomike e sociale  dhe stabilizimit të situatës në atë shtet, në të mirë të stabilizimit të situatës së sigurisë në krejt Ballkanin Perëndimor. Nisma dypalëshe shënon një hap të menduar mirë diplomatik, politik, ekonomik dhe strategjik të BE në rajonin tonë.

Me nismën gjermano-britanike kemi hapin e dytë të madh të BE për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe të krizave e konflikteve në rajon. Etapa e parë ishte angazhimi i drejtpërdrejtë i BE-së për ndërmjetësimin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Etapa e dytë është nisma diplomatike për ringjalljen e procesit të integrimit europian në Bosnjë-Hercegovinë dhe për karakterin funksional të shtetit dhe të institucioneve shtetërore në atë vend. Në qarqet diplomatike flitet edhe për një fazë të tretë të angazhimit diplomatik të BE në Ballkan, sepse mbetet i pazgjidhur konflikti për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Burime diplomatike bëjnë të ditur se në fakt është hartuar një nismë e re nga BE lidhur me Maqedoninë, por ajo është në zhvillim e sipër dhe ende nuk ka marrë formën e duhur për t’u shpallur në publik.

Në këtë mënyrë kemi një ofensivë të re cilësore diplomatike të BE në rajonin tonë. Kjo ofensivë ka si bosht forcimin e procesit të integrimit europian të të gjitha vendeve të këtij rajoni. Pavarësisht se ritmet e anëtarësimit mund të jenë ngadalësuar për arsye ekonomike dhe financiare, e vërteta është se perspektiva e integrimit europian mbetet motori lëvizës i shteteve ballkanike përpara, por mbetet edhe motori lëvizës për zgjidhjen e konflikteve dhe krizave të hapura apo të mbyllura në vende të ndryshme të rajonit.

Nisma gjermano-britanike duhet parë si vazhdim dhe konkretizim i procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, i iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila organizoi samitin e 28 gushtit 2014 në Berlin. E reja e nismës për Bosnjën është se ajo sjell një kualitet të ri të angazhimit diplomatik europian për zgjidhjen e krizave të brendshme të shteteve të rajonit tonë. Nëse konflikti mes Serbisë dhe Kosovës apo mes Greqisë dhe Maqedonisë janë konflikte mes dy shteteve dhe ndërmjetësimi i tyre është një format diplomatik mes dy shteteve, nisma gjermano-britanike është një aksion diplomatik brenda për brenda një shteti. Në deklaratën e përbashkët të miratuar në samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor përmendet për herë të parë angazhimi për të zgjidhur si problemet e mprehta mes dy shteteve të ndryshme ballkanike, ashtu edhe problemet e mprehta brenda një shteti, që përbëjnë rrezik për atë shtet dhe për rajonin. Mosfunksionimi, rreziku separatist dhe zjarri i përplasjes etnike në Bosnjë-Hercegovinë nuk janë thjesht probleme të brendshme, sepse efektet e tyre negative tejkalojnë vijat etnike, demografike e gjeografike dhe shkojnë përtej entiteteve, që përbëjnë hartën aktuale politike të shtetit.

Në këto konjuktura të komplikuara ballkanike, nisma gjermano-britanike sjell një frymë të re dhe një nxitje të re për vënien në rrugë të drejtë të integrimit europian të shtetit dhe për mbrojtjen e interesave të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan. Është një nismë, e cila kërkon në të njëjtën kohë edhe mbështetjen, edhe angazhimin e të gjitha shteteve të rajonit tonë, sepse përderisa këto shtete aspirojnë të gjithë të anëtarësohen në BE, duhet që t’u bashkëngjiten instrumenteve dhe nismave diplomatike të BE për rajonin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb