GREQI- Grupi negociator i Greqisë, shkon sot në Paris për tu takuar me drejtuesit e trojkës, lidhur me zhvillimet në vlerësimin e radhës të ekonomisë greke. Sipas informacioneve më të fundit nga ministria e financave greke, takimi do të mbahet në selinë e OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim), në Paris.

Burime nga ministria thanë se nuk janë mbyllur gjithë çështjet madhore, mirëpo në shumë prej tyre evidentohet progres. “Nuk e ngremë shumë lart barrën e pretendimeve”, thanë burimet nga ministria e financave.

Takimin e grupit negociator grek me drejtuesit e trojkës e konfirmoi edhe zëdhënësja e Komisionit Europian, Mina Andreeva. Siç theksoi Andreeva, në takimin e Parisit do të diskutohen çështje-kyçe për të pasur progres në vlerësimin e programit grek.

“Që të dy palët vazhdojnë të punojnë ngushtë dhe së bashku, me objektiv finalizimin e vlerësimit dhe diskutojnë se si do të mundet Greqia të vazhdojë forcimin e situatës së saj fiskale dhe zhvillimin ekonomik”, theksoi zëdhënësja e KE.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: