Ndeshja e parë e vlefshme për javën e 22 të Kategorisë Superiore mes Korabit dhe Vllaznisë i ka buzëqeshur miqve të cilët kanë fituar me rezultatin 0-2. Takimi i luajtur në Durrës për arsyen se stadiumi i dibranëve ende nuk është në gjendje të mirëpresë një ndeshje të kësaj natyre sipas FSHF-së, u vendos nga golat e Elis Bakajt dhe Habajt.

Një javë shumë e tensionuar ka qenë kjo për shkodranët pasi vetëm pak ditë më parë u fol për një dorëheqje të trajnerit Armando Cungu, dhe më vonë u shoqërua edhe me protestën e tifozëve të cilët ndërprenë stërvitjen e klubit ditën e premte.

Gjithsesi shkodranët ia kanë dalë mbanë të marrin një trepikësh që do t’i ulë ndjeshëm tensionet në klub. Vllaznia pas kësaj fitoreje renditet në vendin e 6-të me 27 pikë, po aq sa Tirana e vendin të pestë.

Ndërsa për dibranët nga java në javë gjithmonë e më shumë po rëndohet situata. Kjo është humbje e katërt radhazi për Korabin i cili e sheh vetën në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit me 11-të pikë, 9-të më pak se Laçi që mban vendin e parafundit.

(e.k/balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: