Vllaznia i është rikthyer stërvitjeve të zakonshme ditën e martë pas dy ditëve pushim. Shkodranët në këtë mënyrë kanë nisur javën e përgatitjeve “anti-Tirana”. Me klasiken që hap vitin 2025 për të dy ekipet, shkodranët kërkojnë ta nisin me një rezultat pozitiv. Ajo se çfarë u vu re në kthimin e kuqebluve është se grupi i futbollistëve është thuajse totalisht i kompletuar.

PROBLEMET – Të gjithë futbollistët që kanë pasur probleme fizike në javët e shkuara kanë marrë ngarkesën e plotë fizike. Nga titullarët i vetmi që ka munguar dhe që nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Tiranën është Kristi Qarri. Gardiani i cili mungoi edhe në ndeshjen e fundit të vitit 2024 kundër Partizanit, duket se ka një shqetësim fizik më të rëndë se sa u parashikua në fillim dhe me Aron Jukajn që pritet të jetë sërish në katërkëndorin e skuadrës kuqeblu. E ndërsa pjesa tjetër e skuadrës pritet të jetë e plotë dhe do të pritet se cilët do të jenë titullarët që do të prezantohen në ndeshjen e parë për vitin 2025, ku tashmë grupi i futbollistëve të Vllaznisë është më i plotë se asnjëherë deri në këto momente të edicionit.

STATISTIKAT – Vllaznia do të rikthehet do herë të parë në fushë për vitin 2025 në datën 10 janar. Shkodranët do të presin në Shkodër, në kuadër të javës së 20-të Tiranën. Me klasiken e Shqipërisë që do luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të premten tjetër në orën 16:30. Kjo ndeshje i gjen skuadrat në humore të ndryshme, duke u bazuar nga renditja në tabelë dhe se çfarë dhuruan në gjysmën e parë të sezonit.

Aktualisht Vllaznia ndodhet në vendin e 3-të të renditjes me 31 pikë. Vetëm 3 më pak se kryesuesit e Dinamos e ndërsa krejt e kundërta ndodh te Tirana, me ekipin më të titulluar në vend që po “vuan” këtë edicion. Bardheblutë ndodhen aktualisht në vendin e 8-të me 18 pikë. Pozicion që të dërgon në “play out” të Superiores në fundin e edicionit. Këtë moment “jo” të bardhebluve patjetër që do të kërkojë ta shfrytëzojë Vllaznia.

DOMINIMI – Shkodranët kanë një dominim ndaj kryeqytetasve në ndeshje e fundit. Kuqeblutë nuk njohin humbje prej 5 ndeshjesh radhazi në kampionat ndaj Tiranës. Ku gjatë kësaj periudhe numërojnë 2 barazime në shifrat 2-2 dhe 0-0, e po ashtu 3 fitore konkretisht në shifrat 3- 4, 3-1 dhe 0-1. Duke treguar një supermaci ndaj bardhebluve gjatë kësaj periudhe. Fitorja e fundit e Tiranës ndaj Vllaznisë ka ardhur në datën 22.04.2023 në shifrat 0- 1. Me ndeshjen që atë periudhë zhvillohej në Shkodër dhe vendosej nga një gol i Kristal Abzajt në minutën e 44-ët të takimit. Që nga ai duel para më shumë se një viti e gjysmë, Tirana nuk njeh fitore ndaj Vllaznisë. Me kuqeblutë që kanë dominuar takimet direkte në klasike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb