Të dielën u luajtën dy ndeshjet e fundit të javës së 8-të në kampionatin shqiptar. Vllaznia barazoi pa gola ndaj Elbasanit, në takimin e mbajtur në “Elbasan Arena”.
Shkodranët e nisën ndeshjen në sulm, teksa në minutën e 14-të, vetëm traversa ndali Bekim Balajn nga shënimi i golit.
Mysafirët realizuan me Hasanin në fundin e pjesës së parë, por festa zgjati pak, pasi goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në të 80-tën, skuadra nga Elbasani “flirtoi” me golin, por portieri kundërshtar tregoi se është në një mbrëmje të mirë. Në fund të dyja skuadrat shtrënguan duart, duke marrë kështu secila nga një pikë. Vllaznia është në vendin e katërt, ndërsa Elbasani është në vendin e pestë.
Teuta triumfoi 3-1 në shtëpi ndaj Tiranës. Durrsakët ia dolën që të marrin 3 pikë, me golat e Krujës, Torraj dhe Naser. Goli i nderit për bardheblutë u realizua nga Ismajli.
“Djemtë e Detit” janë në vendin e gjashtë, ndërsa Tirana e shtata.
(J.S/BalkanWeb)